Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti i Azerbajxhanit: “Rendi i ri botëror po merr formë”

Presidenti i Azerbajxhanit: “Rendi i ri botëror po merr formë”

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, u shpreh se “rend i ri botëror po merr formë”, teksa iu drejtua takimit të Grupit të Kontaktit të Lëvizjes së të Paangazhuarve (NAM) në kryeqytetin Baku, raporton Anadolu.

“Tani bota po përjeton konfrontimin më serioz Lindje-Perëndim që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me pasoja për pjesën tjetër të botës. Si institucioni i dytë më i madh ndërkombëtar pas OKB-së, NAM duhet të luajë një rol më të dukshëm dhe efikas në arenën ndërkombëtare dhe të marrë pjesë aktive në riformësimin e rendit të ri botëror”, tha Aliyev.

Ai tha se arkitektura e sigurisë ndërkombëtare që ka ekzistuar për dekada po pëson ndryshime rrënjësore, duke shtuar se multilateralizmi është në rrezik me “erozionin e normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare” e cila po kërcënon edhe më shumë rendin ndërkombëtar.

“Vërehen më shumë raste të shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve. Nuk po zbatohen as vendimet e organizatave kryesore ndërkombëtare, ose po zbatohen qasje selektive dhe standarde të dyfishta”, tha ai.

Aliyev tha se NAM duhet të bashkohet për të eliminuar trendet në rritje të neo-kolonializmit, duke shtuar se organizata mbështet “fuqishëm” sovranitetin e Unionit të Komoreve mbi ishullin Mayotte, një departament francez në Oqeanin Indian, dhe se NAM i bën thirrje Parisit të “respektojë të drejtat e popullit të Kaledonisë së Re dhe të popujve të tjerë në komunitetet dhe territoret franceze jashtë shtetit”.

“Territoret e administruara nga Franca jashtë Evropës janë mbetje të neveritshme të perandorisë koloniale franceze. Gjithashtu i bëjmë thirrje Francës që të kërkojë falje dhe të pranojë përgjegjësinë e saj për të kaluarën e saj koloniale, krimet e përgjakshme koloniale dhe aktet e gjenocidit kundër vendeve anëtare të NAM në Afrikë, Azinë Juglindore dhe vende të tjera”, deklaroi presidenti Azerbajxhan.

Aliyev më tej tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet t’i jap një vend të përhershëm NAM-it, përveç mbështetjes së idesë për dhënien e ulëses së përhershme për vendet afrikane, duke shtuar se organi i OKB-së “kujton të kaluarën dhe nuk pasqyron realitetin aktual”.

Ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është “joefikas”, duke shtuar se katër rezoluta të miratuara nga organi i OKB-së për tërheqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të forcave armene nga territori i Azerbajxhanit u injoruan për gati tre dekada.

“Në vitin 2020, Azerbajxhani vetë rivendosi integritetin e tij territorial dhe drejtësinë historike me mjete ushtarako-politike dhe zbatoi rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Ndoshta, ishte rasti i parë në botë që nga themelimi i OKB-së”, tha ai.

Lëvizja e të Paangazhuarve u formua në vitin 1961 nën udhëheqjen e Jugosllavisë së atëhershme kur bota filloi të polarizohej midis Lindjes dhe Perëndimit. Aktualisht lëvizja ka 120 anëtarë.

Exit mobile version