Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung riafirmoi angazhimin e tij për të mbështetur në mënyrë aktive bisedimet e mundshme midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së gjatë këtij viti, me synimin për të ringjallur diplomacinë e bllokuar prej kohësh në Gadishullin Korean, raporton Anadolu.
Në fjalimin e Vitit të Ri, presidenti Lee tha se qeveria e tij do të punojë për të lehtësuar rifillimin e dialogut midis Washingtonit dhe Phenianit, duke vazhduar njëkohësisht përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve ndërkoreane, raportoi agjencia Yonhap News.
Ai rikujtoi bisedimet e samitit të zhvilluara vitin e kaluar me presidentin amerikan Donald Trump, i cili kishte shprehur shpresën për një angazhim të ripërtërirë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, një hap që Lee e mbështeti publikisht.
Pavarësisht refuzimit aktual të Koresë së Veriut për t’u angazhuar në dialog, Lee theksoi rëndësinë e diplomacisë dhe tha se administrata e tij po ndjek masa për të ulur tensionet ushtarake.
“Ne do ta zëvendësojmë rritjen e paqëndrueshme të kufizuar nga kërcënimi i luftës me rritje të qëndrueshme të mbështetur nga paqja. Paqja e qëndrueshme është sinonim i rritjes ndërsa siguria e fortë është forca shtytëse e prosperitetit”, tha presidenti koreano-jugor.
Muajin e kaluar, Lee përsëriti thirrjen që Koreja e Veriut të rivendosë kanalet e komunikimit. “Detyra historike që na është dhënë është t’i japim fund armiqësisë dhe konfrontimit midis dy Koreve dhe të ndërtojmë marrëdhënie të re ndërkoreane të bazuar në bashkëjetesë paqësore”, tha ai.
