Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, ka nënshkruar Kushtetutën e re të vendit, duke i dhënë fund kushtetutës së përkohshme që ishte në fuqi për shumë vite.
Kreu i shtetit e firmosi ligjin themelor të reformuar në kryeqytetin Mogadishu të dielën, në prani të kryetarëve të dy dhomave të parlamentit të Somalisë.
Presidenti Mohamud tha se zbatimi i kushtetutës së re hyn menjëherë në fuqi dhe shprehu besimin se ajo do ta drejtojë vendin drejt “stabilitetit politik”.
Kushtetuta e re sjell disa ndryshime të rëndësishme, përfshirë kriteret për kandidatët për president, kufizimin e mandateve dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve në parlament.
Sipas dispozitave të reja, një person që synon poste të larta politike nuk duhet të jetë i martuar me shtetas të huaj, nuk duhet të ketë shtetësi të dyfishtë dhe të dy prindërit duhet të jenë somalezë. Në rast se një kandidat ka shtetësi të dyfishtë, ai duhet të heqë dorë zyrtarisht nga shtetësia tjetër përpara kandidimit.
Ndryshimet prekin drejtpërdrejt postet e presidentit, kryeministrit dhe kryetarëve të dy dhomave të parlamentit.
Kushtetuta e re gjithashtu zgjat mandatin presidencial nga katër në pesë vjet, ndërsa një president mund të shërbejë maksimumi dy mandate.
Pas përfundimit të dy mandateve, presidenti bëhet automatikisht anëtar i përjetshëm i Dhomës së Lartë të parlamentit.
Sipas rregullave të reja, kandidatët për president dhe kryeministër duhet të jenë të paktën 40 vjeç.
Somalia po kalon gjithashtu nga sistemi kompleks i zgjedhjes së deputetëve sipas klaneve në votim të përgjithshëm, ku qytetarët do të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre në parlament. Megjithatë, presidenti i vendit do të vazhdojë të zgjidhet nga deputetët në një seancë të përbashkët parlamentare.
Kushtetuta e re njeh zyrtarisht tre nivele të qeverisjes: qeverinë federale, shtetet anëtare federale dhe qeveritë lokale.
Kjo është kushtetuta e parë e plotë e Somalisë që nga viti 1991, kur vendi u përfshi nga një luftë civile. Ajo zëvendëson kushtetutën e përkohshme që ishte miratuar në vitin 2012. /mesazhi
