Ballina Lajmet Kosovë Presidenti, përfitues i përjetshëm i benificioneve të shtetit

Presidenti, përfitues i përjetshëm i benificioneve të shtetit

Në ditët kur po zhvillohet debati rreth mundësisë së rrëzimit të Qeverisë, kabineti i ministrave është kujtuar ta bëjë një ndryshim në Ligjin për Presidentin.

Ky ndryshim është i vogël në dukje por me ndikim të madh në aspektin financiar.

Me propozimin që është bërë publik nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, presidenti barazohet me të gjithë ata që përfitojnë në bazë të Ligjit për përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë të Republikës së Kosovës.

Ky ndryshim është bërë me arsyetimin se në ligjin paraprak, presidenti ka qenë i përjashtuar.

“Kemi të bëjmë me një ndryshim i cili konsiston që të kemi një legjislacion të barabartë edhe për Presidentin e Republikës së Kosovës, dhe ish-zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, ngase në ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar Presidenti i Republikës së Kosovë”, ka thënë Kuçi, shkruan AktivPress.

Tash, me nenin e ri, kreu i shtetit barazohet me ish-kryetarët e Kuvendit, ish- kryeministrat, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ish kryetarin e Gjykatës Supreme apo edhe me ish- Kryeprokurorin e shtetit.

Me ligjin e tanishëm, përfitimi i benificioneve nga ana e presidentit pas përfundimit të mandatit të tij, është i kufizuar në pesë vjet.

Ligji e përcakton që Presidenti i Kosovës pasi ta ketë përfunduar funksionin, ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës të cilën e merr kreu i shtetit.

Pos kësaj, parashihet që Presidenti ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.

“Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë për periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit”, thuhet në Ligjin për Presidentin.

Ndryshe është rregulluar çështja e përfitimeve për zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit, shkruan AktivPress.

Në Ligjin për përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë të Republikës së Kosovës nuk janë vënë kufizimet kohore se sa gjatë mund të përfitoj nga shteti një zyrtar pas përfundimit të mandatit.

Për më tepër në këtë ligj, e drejta e përfitimit u njihet të gjithë atyre zyrtarëve të lartë të shteit që kanë ushtruar së paku gjashtë muaj mandat në krye të institucioneve.

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se aktualisht është dhënë vetëm iniciativa që të barazohet statusi i presidentit me statusin e bartësve tjerë të pozitave të larta, për të cilët zbatohen kritere të njëjta.

Siç ka thënë ai, ndryshimet i prekin edhe ish-presidentët pas vitit 2008. Në fakt, nga ajo kohë kanë qenë tre president, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga. Prej tyre, vetëm Pacolli do ta ketë të vështirë ta realzioj të drejtën e përfitimit të benificioneve nga shteti, për shkak se zyrtarisht ka qenë në krye të shtetit për një periudhë pak më të gjatë se një muaj.

Exit mobile version