Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki tha se vendi duhet ta përshtasë strategjinë e sigurisë kombëtare me një plan veprimi të sigurisë të publikuar nga SHBA-ja, i cili është kritik ndaj Bashkimit Evropian, duke argumentuar se ndryshimi i politikave të Washingtonit kërkon që Varshava të përshtasë doktrinën e vet, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, Nawrocki tha të enjten se ai kishte mbajtur qëllimisht pezull miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të përditësuar të Polonisë në mënyrë që ta rishikonte atë në përputhje me qasjen e re të SHBA-së.
“Personalisht jam i lumtur dhe e konsideroj një sukses për zyrën time që nuk e kemi nënshkruar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe po punojmë për zhvillimin e një strategjie të re”, tha Nawrocki, raportoi TVP World.
“Ne shohim se strategjia e aleatit tonë më të madh të sigurisë, SHBA-së, tani po del në dritë, kështu që ne duhet ta përshtasim edhe strategjinë tonë me vizionin e aleatit tonë”, shtoi presidenti polak.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e publikuar javën e kaluar, sinjalizon rol të reduktuar amerikan në Evropë ndërsa Uashingtoni e zhvendos fokusin në prioritetet e brendshme nën politikën “Amerika e Para” të presidentit Donald Trump.
Nawrocki tha se ndryshimi nuk duhet të vijë si surprizë, duke përmendur kontaktet e tij personale me Trumpin. “Ka udhëzime të qarta në këtë strategji sigurie, të cilat thonë ‘Amerika e para’, që ishte slogani i presidentit Donald Trump”, tha ai.
Ai shtoi se qasja e SHBA-së nuk ishte konfrontuese ndaj vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke argumentuar se shtete si Polonia kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe financojnë mbrojtjen e tyre.
Në një mesazh drejtuar SHBA-së, Tusk tha: “Evropa është aleati juaj më i ngushtë, jo problemi juaj. Ne kemi armiq të përbashkët. Ky ka qenë themeli i sigurisë sonë për 80 vitet e fundit”.
Më parë, ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha se strategjia duket se favorizon një “Evropë më të dobët”, edhe pse Washingtoni pret që kontinenti të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e tij.
Megjithatë, Nawrocki i bëri jehonë kritikave të Trumpit ndaj bllokut, duke thënë: “Jemi në një kohë kur Bashkimi Evropian është në kaos. Duhet të pyesim veten nëse po shkon në drejtimin e duhur sot”.
