Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u takua sot me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Ankara, ku liderët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale, ndërsa Turqia priti Samitin e NATO-s, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, dy liderët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Sirisë, si dhe zhvillimet rajonale.
Takimi me dyer të mbyllura në Kompleksin Presidencial u zhvillua në margjinat e Samitit dyditor të NATO-s, të organizuar nga Turqia.
Samiti në Ankara mblodhi liderët e Aleancës me 32 anëtarë, si dhe partnerët kryesorë, për të diskutuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës, objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të Aleancës, modernizimin ushtarak dhe mbështetjen për Ukrainën. Sharaa përfaqësoi Sirinë si mysafir.
Gjatë takimit, Erdogan ka thënë se përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Sirisë do të vazhdojnë të intensifikohen, duke riafirmuar se Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit sirian, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve.
Presidenti turk ka theksuar gjithashtu se mbajtja e Sirisë jashtë konflikteve që prekin rajonin është “jetike” për rindërtimin e vendit.
Takimi në Ankara shënon Samitin e dytë të NATO-s të organizuar nga Turqia, pas Samitit të Stambollit në vitin 2004. Tubimi ofroi gjithashtu një platformë për takime dypalëshe mes Turqisë dhe vendeve aleate e partnere për bashkëpunimin politik, të sigurisë dhe ekonomik.
Turqia, anëtare e NATO-s prej gati 75 vitesh, iu bashkua Aleancës në vitin 1952.