Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti turk Erdogan uron Ditën e Republikës

Presidenti turk Erdogan uron Ditën e Republikës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e Ditës së Republikës ka deklaruar se Turqia po ruan stabilitetin e saj ndërsa merr përgjegjësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në një kohë kur luftërat, konfliktet dhe krizat po zhvillohen në rajonin e saj të afërt dhe në mbarë botën, transmeton Anadolu.

“E uroj kombin tonë të dashur, vëllezërit dhe motrat tona turko-qipriote si dhe të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës, me rastin e Ditës së Republikës, më 29 tetor”, tha Erdogan në një videomesazh me rastin e Ditës së Republikës.

“Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për mysafirët tanë të çmuar në misionet tona diplomatike jashtë vendit, të cilët ndajnë gëzimin dhe entuziazmin e festës sonë kombëtare. Gjithashtu, përqafoj ngrohtësisht të gjithë miqtë, vëllezërit dhe motrat tona në skajet e ndryshme të hapësirës sonë gjeografike dhe kulturore, zemrat e të cilëve rrahin bashkë me kombin tonë dhe që ndajnë me ne gëzimet dhe hidhërimet, të bashkuar në fat dhe shpirt”, tha më tej presidenti turk.

Duke theksuar se republika përbën dëshminë më të fuqishme të vendosmërisë së kombit turk për të jetuar i lirë, të vullnetit për të mbetur i pavarur dhe të vendosmërisë për të përcaktuar të ardhmen e vet, Erdogan tha se lufta kombëtare, e udhëhequr nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës së Turqisë, i kishte dëshmuar botës se çfarë mund të arrijë një komb i bashkuar edhe në rrethanat më të vështira.

“Kjo arritje e madhe, e siguruar pavarësisht kufizimeve të rënda, jo vetëm që ndryshoi fatin e një kombi, por gjithashtu shënoi në histori fuqinë e vullnetit kombëtar dhe domosdoshmërinë e së drejtës për të jetuar i pavarur”, shtoi ai.

Erdogan theksoi se vendi do të mbetet i përkushtuar ndaj përpjekjeve për paqe dhe drejtësi, nën moton “Paqe në vend, paqe në botë”.

“Vendosmëria, guximi dhe këmbëngulja që treguam si komb pikërisht 103 vjet më parë vazhdojnë të jenë një nga burimet tona më të forta të motivimit edhe sot. Përparimin që kemi arritur gjatë 24 viteve të fundit në një gamë të gjerë fushash, nga industria e mbrojtjes dhe energjia deri te transporti dhe diplomacia, e konsiderojmë si piketa në rrugën drejt një Turqie me ndikim dhe të begatë”, tha Erdogan.

“Vendi ynë, i cili po zhvillon teknologjinë e vet, po zgjeron kapacitetet e mbrojtjes, po forcon sigurinë e furnizimit me energji, po modernizon infrastrukturën e transportit për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe po rrit vazhdimisht kapacitetin e prodhimit, po ecën me besim drejt një të ardhmeje më të fuqishme”, shtoi ai.

Siç theksoi presidenti turk, “si 86 milionë njerëz, të bashkuar rreth vlerave tona të përbashkëta, do ta shndërrojmë në realitet vizionin tonë për ‘Shekullin e Turqisë’ dhe së bashku do ta udhëheqim Republikën e Turqisë, të cilën e konsiderojmë si strehën që na mbron të gjithëve, drejt një të ardhmeje shumë më të ndritur”.

“Jam i kënaqur të them se Turqia, falë Zotit, është sot më e fuqishme se dje. Me dëshirën e Zotit, nesër do të jetë shumë më e fuqishme, më e respektuar dhe më me ndikim në çdo fushë. Me lejen e Zotit, kombi turk do ta lërë gjurmën e vet në këtë shekull. Zoti na e ndriçoftë rrugën dhe i dhëntë kombit tonë një të ardhme të ndritur. Me këtë rast, përkujtoj me respekt dhe mëshirë Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin e republikës sonë, bashkëluftëtarët e tij, heronjtë e Luftës sonë Kombëtare dhe dëshmorët tanë të dashur që sakrifikuan jetën për atdheun tonë, si dhe shpreh mirënjohjen time për veteranët tanë”, tha presidenti turk.

“Gëzuar 103-vjetorin e republikës sonë”, përfundoi ai.

Exit mobile version