Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 21 dhjetorit, Ditës së arsimit në gjuhën turke, ka dërguar një mesazh urimi për komunitetin turk në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton kabineti i saj, presidentja Siljanovska-Davkova në mesazhin e urimit theksoi se “në strukturën e pasur të vendit, komuniteti turk është një fill i ndritshëm që fisnikëron mozaikun e jetesës së përbashkët, duke kontribuar në forcimin e mirëkuptimit dhe harmonisë së ndërsjellë”.
Ajo kujtoi se më 21 dhjetor të vitit 1944 për herë të parë në ambientet e shkollës ‘Tefeyyüz’ u dëgjua “zëri i mësimdhënies” në gjuhën turke.
“Dita e arsimit në gjuhën turke mishëron të drejtën e çdo populli për të çmuar gjuhën e tij amtare si pjesë e identitetit të tij kombëtar dhe kulturor. Gjuha dhe kultura turke janë pjesë e çmuar e thesarit multikulturor maqedonas dhe dëshmi e simbiozës dhe bashkëjetesës shekullore mes popujve”, tha Siljanovska-Davkova në mesazhin e urimit.
Siç theksoi ajo, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe forcë lëvizëse që zgjeron shtrirjen e shkencës, formëson kulturën dhe frymëzon urtësinë e kombeve.
“Kjo festë le të ju inkurajojë që të arrini suksese edhe më të mëdha në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditës suaj. Dhe, le të vazhdojë mësimi i gjuhës turke të pasqyrojë vlerat e dijes, tolerancës dhe respektit në jetën tonë të përbashkët”, theksoi ajo.
Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut sot shënon Ditën e arsimit në gjuhën turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore ‘Tefeyyüz’ në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.
