Ballina Lajmet Kosovë Prishtina edhe sot pa transport publik, vazhdon protesta

Prishtina edhe sot pa transport publik, vazhdon protesta

Prishtina edhe sot ka mbetur pa shërbim të transportit publik, pasi protesta e operatorëve të linjave urbane po vazhdon për të dytën javë me radhë. Situata ka shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët që mbështeten në autobusat urbanë për lëvizje brenda kryeqytetit.

Kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka konfirmuar se protesta nuk do të ndërpritet deri në momentin kur Komuna e Prishtinës të shlyejë borxhin ndaj operatorëve publikë dhe atyre privatë.

“Protesta do të vazhdojë derisa Komuna të përmbushë obligimet ndaj nesh. Sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban janë dy kërkesat tona bazë,” ka deklaruar Gashi. Ai ka shtuar se vendimi për transferimin e mjeteve është marrë të premten, por “ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave”.

Edhe ndërmarrja Trafiku Urban, në një njoftim të lëshuar ditë më parë, ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të përshpejtojnë procedurat për transferimin e fondeve.

“E shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja t’i kthehet menjëherë shërbimit publik,” thuhej në njoftim.

Sipas ndërmarrjes, shërbimi nuk do të rikthehet derisa të bëhen të qasshme mjetet financiare: “Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë. Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.”

Exit mobile version