Ballina Lajmet Kosovë Projektligji për demarkacion procedohet për shqyrtim në Kuvend

Projektligji për demarkacion procedohet për shqyrtim në Kuvend

Me katër vota pro, 2 kundër dhe një abstenim, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, i procedohet për shqyrtim Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse janë mbledhur për ta proceduar në Kuvend, çështja e procedimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi i ka gjetur të ndarë deputetët e Republikës të Kosovës.

Kundër procedimit të projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, u deklarua anëtari i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili tha se kjo marrëveshje nuk duhet t’i dorëzohet Kuvendit për miratim, pasi që tha se në këtë mënyrë i hedhet ‘hi syve’.

“Në kuadër të këtij debati, po dëshmohet se Kosova ka humbur territor, por po gënjehet publiku. Konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përdorët një gjuhë e njëjtë për të dyja palët nënshkruese, pasi që tek pala kosovare thuhet se do të ketë korrektime. Kjo marrëveshje nuk do të duhej fare që t’i paraqitej Kuvendit”, tha ai.

Anëtari Dukagjin Gorani e quajti përpjekjen për këtë marrëveshje si improvizim.

“Përpjekja e sanimit të dëmit, me improvizime duke u munduar të futen në deklaratën e dy presidentëve vetëm sa e bënë më të madh dëmin… Sot jemi ardhur në një situatë kur kjo çështje ka dalë jashtë kornizave. Sot gjithkush duhet ta rezervojë të drejtën e vet në mënyrën sesi voton”, theksoi ai.

Anëtari Elmi Reçica tha se tash kemi mundësinë të gjejmë argumente për atë që është territor i Kosovës, për ta ndarë kufirin me Malin e Zi.

“Marrëveshja e dy presidentëve me 16 shkurt ka pasur ndikim pozitiv tek qytetarët e Kosovës dhe unë mendoj se duhet ta procedojmë këtë marrëveshje”, tha ai.

Për anëtaren Time Kadrijaj është e rëndësishme që kjo punë ka ardhur deri këtu, pasi edhe për Malin e Zi nuk ka qenë e lehtë të pranojë të korrektohen paqartësitë se ku gjendet kufiri.

“Nëse kjo marrëveshje do të kishte ardhur pa këto unë nuk do ta kisha votuar”, u shpreh ajo.

Deputeti nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, tha se para vetes kanë një projektligj i cili në vete ngërthen pika që janë në kundërshtim me njëra-tjetrin.

“Projektligji kërkon ratifikimin e marrëveshjes e cila nuk ka ndryshuar fare e në anën tjetër ky projektligj përmban paragrafin, i cili është cenon integritetin territorial të Republikës të Kosovës dhe sovranitetin”, theksoi ai.

Ndërsa deputeti Ali Lajçi bëri thirrje që të mos luhet me ndjenjat e qytetarëve, duke u thënë se me këtë marrëveshje zgjidhet çështja e liberalizimit të vizave.

“Ajo vijë nuk ishte demarkim, por ishte vendosje e një vije të re kufitare. I dimë ne këto gjëra. Silleni vendimin për liberalizimin e vizave e ne e votojmë menjëherë. Mos tentoni të bëni kështu, sepse kjo është humbje e territorit në mënyrë të maskuar. Mos e vazhdoni këtë, sepse me këtë nuk i bie mirë askujt në Kosovë dhe merrni përgjegjësi për gjithë këtë kohë që e kemi humbur duke bërë marrëveshje të dëmshme”, tha ai.

Edhe Fitore Pacolli tha se demarkacioni me Malin e Zi nuk është garantues për vizat, sepse ai nuk do të vijë me arritjen e kësaj marrëveshjeje, porse me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kushti kryesor është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Republika e Kosovës nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Exit mobile version