Ballina Lajmet Kosovë Prokuroria kërkon ekspertizë mjeko-ligjore për rastin Dehari

Prokuroria kërkon ekspertizë mjeko-ligjore për rastin Dehari

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i ka deklaruar Radios Evropa e Lirë, të dielën, se Prokuroria dhe ekipet përkatëse, kanë kryer të gjitha hetime në bazë të rregullave për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Dehari ndodhej nën masën e paraburgimit, pasi u arrestua javë më parë me akuzën për përfshirje në sulmin me armë zjarri mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Kryeprokurori Hoxha tha se nga hetimet e deritashme, rezulton se i ndjeri është dërguar në spital pa shenja jete.

Ai tha se prokurori është duke mbledhur edhe disa informacione, por ato më kryesoret do të jenë pas përfundimit të autopsisë që do të bëhet nga ekspertët mjeko-ligjorë.

“[I ndjeri] është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Aty tash i kemi disa kërkesa të familjarëve se duan ekip më të gjerë dhe ekspertë të jashtëm. Mirëpo, ne do të veprojmë në kuadër të kompetencave të Kodit të Proceduarës Penale. Ne, po ashtu, e kemi lëshuar urdhëresën për caktimin e tre ekspertëve mjeko-ligjorë [kosovar] që do të marrin pjesë në autopsi”, shpjegoi Hoxha.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me anë të një deklarate për media ka kërkuar që të sqarohet në detaje vdekja e Deharit.

“Në mënyrë që dhimbja e rëndë familjare dhe shqetësimi i publikut të mos manipulohen, kërkojmë nga institucionet përkatëse të ligjit, që në mënyrë urgjente të sqarojnë në tërësi dhe në detaje këtë rast”, thuhet në deklaratën dërguar medieve.

Lëvizja Vetëvendosje, anëtar i së cilës ishte Dehari, ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen e tij, ndërsa ka nënvizuar se “si hero do ta kujtojë përgjithmonë”.

Po ashtu, ky subjekt politik me anë të një komunikate, ka thënë se pas deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, Lëvizja Vetëvendosje mban pikë së pari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht, pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

Një sulm mbi Kuvendin e Kosovës, u krye në muajin gusht me armë zjarri duke shkaktuar dëme materiale. Javë më vonë Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona me dyshimin se kanë kryer vepër penale të sulmit mbi objektin zyrtar.

Exit mobile version