Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Protesta pro Evropës. Marshime në Gjermani një javë para zgjedhjeve europiane

Protesta pro Evropës. Marshime në Gjermani një javë para zgjedhjeve europiane

Një javë përpara se evropianët t`i drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, me dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugët e Gjermanisë duke ngritur zërin e tyre në mbështetje të Evropës e duke dërguar në këtë mënyrë edhe një mesazh të fortë kundër nacionalizmit dhe ekstremit të djathtë.

Protestat janë organizuar në shtatë qytete të mëdha të vendit: në Berlin, Frankfurt, Hamburg, Këln, Lajpcig, Mynih dhe Shtutgart.

Disa prej pjesëmarrësve thanë se në këtë mënyrë kanë kërkuar të tregojnë mbështetjen e tyre për Evropën sepse druhen që Gjermania dhe i gjithë Kontinenti i Vjetër mund t’i rikthehen një kapitulli të errët të historisë.

“Gjyshet kundër të djathtës” e quajtën ata protestën dhe arsyeja, siç shpjegoi një organizatore, ishin rrëfimet e gjyshërve mbi jetën nën regjimin nazist. Por, edhe pse e mbështesin Evropën, mjaft demonstrues e bënë të qartë mendimin e tyre se Bashkimi Evropian duhet të reformohet nëse dëshiron të jetë i suksesshëm në të ardhmen.

BE-ja ka nevojë për ndryshim, thonë ata, neve na nevojitet një bashkëpunim më i fortë. Protestat në Gjermani po zhvillohen nën moton “Një Europë për të gjithë: zëri juaj kundër nacionalizmit”, me marshimet e mbështetura nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile dhe parti politike.

Exit mobile version