Në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, u mbajt një protestë kundër vazhdimit të sulmeve të Izraelit ndaj Gazës, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, raporton Anadolu.
Qindra persona u mblodhën në sheshin “Odenplan” në Stokholm, me thirrjen e shumë organizatave të shoqërisë civile, për të protestuar ndaj sulmeve në Rripin të Gazës nga ushtria izraelite në kundërshtim me armëpushimin që filloi më 10 tetor.
Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Fëmijët po vriten në Gaza”, “Shkollat dhe spitalet po bombardohen”, “Të respektohet menjëherë armëpushimi” dhe “T’i jepet fund zisë së bukës”, protestuesit kërkuan që të ndalet gjenocidi ndaj Gazës dhe që Suedia të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin.
Protestuesit që mbanin flamuj palestinezë brohoritën slogane duke thënë se do të vazhdojnë protestat derisa Palestina të jetë e lirë dhe Izraeli të respektojë armëpushimin.
– “Do të jemi në sheshe derisa të ketë ndryshim”
Aktivisti suedez Robin Nillson tha për Anadolu se ata do të vazhdojnë protestat derisa të arrihet paqe e qëndrueshme.
Duke kritikuar politikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Nillson tha: “Pavarësisht krizës së madhe humanitare dhe numrit të lartë të viktimave, ende nuk kemi parë ndonjë ndryshim konkret”.
Ai shtoi se Netanyahu e ka pranuar armëpushimin jo me dëshirë, por për shkak të presionit ndërkombëtar, duke vijuar:
“Sot jemi sërish këtu me shpresë për ndryshim. Pretendimet në disa media se lufta mund të zgjasë deri në fund të vitit 2026 janë shqetësuese. Nëse situata aktuale nuk ndryshon, ne do të vazhdojmë me vendosmëri protestat masive dhe aktet e mosbindjes civile edhe vitin e ardhshëm”.
