Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Provinca kanadeze kërkon masa ligjore kundër OpenAI-së në rastin e sulmit në...

Provinca kanadeze kërkon masa ligjore kundër OpenAI-së në rastin e sulmit në shkollë

Provinca kanadeze British Columbia ka angazhuar përfaqësues ligjor për të ndërmarrë veprime kundër kompanisë OpenAI, duke e akuzuar atë se nuk i njoftoi organet e zbatimit të ligjit për kërcënimet e bëra në platformën e saj ChatGPT para një sulmi masiv me armë në muajin shkurt në shkollën e mesme Tumbler Ridge, transmeton Anadolu.

Sipas Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të British Columbia, Niki Sharma, provinca ka punësuar firmën ligjore CFM Lawyers në Vankuver dhe firmën Stranch, Jennings & Garvey me bazë në Kaliforni për të shqyrtuar të gjitha rrugët ligjore të mundshme për të mbajtur OpenAI-n dhe drejtuesit e saj përgjegjës.

Më 10 shkurt të këtij viti, 18-vjeçarja Jesse Van Rootselaar vrau nënën e saj dhe vëllain e saj 11-vjeçar në shtëpinë e familjes, përpara se të shkonte me makinë drejt shkollës dhe të hapte zjarr. Ajo vrau pesë nxënës dhe një ndihmës-mësues, plagosi 27 persona të tjerë dhe më pas vrau veten. Viktimat përfshinin fëmijë të moshës 12 dhe 13 vjeç.

Punonjësit e OpenAI-së kishin sinjalizuar llogarinë e sulmueses në ChatGPT tetë muaj para sulmit, duke përcaktuar se ajo përbënte një kërcënim të besueshëm për dhunë me armë dhe duke u kërkuar drejtuesve të lartë që të njoftonin autoritetet kanadeze.

Deklarata theksoi se drejtuesit e kompanisë nuk njoftuan policinë apo autoritetet lokale.

“Mendimet tona janë me familjet që humbën të dashurit e tyre, personat që u plagosën dhe të gjithë komunitetin e shkollës Tumbler Ridge”, tha Sharma, duke shtuar se “teksa komuniteti vazhdon të shërohet, qeveria jonë mbetet e përqendruar në mbështetjen e të prekurve dhe në kërkimin e përgjegjësisë”.

“British Columbia nuk ka hezituar kurrë të përballet me korporata të fuqishme kur veprimet e tyre shkaktojnë dëm për njerëzit dhe komunitetet. Ne po ndërmarrim këtë hap sepse ekzistojnë shqetësime serioze rreth dështimit të OpenAI-së për të njoftuar autoritetet e zbatimit të ligjit pasi kërcënimet u sinjalizuan në platformën e saj. Ne do të ndjekim çdo rrugë të mundshme për të mbajtur OpenAI-n dhe vendimmarrësit e saj përgjegjës, sepse asnjë kompani apo drejtues i saj nuk duhet të jetë përtej kontrollit kur siguria publike është në rrezik”, theksoi ajo.

Provinca kanadeze tha se veprimi i saj ligjor do të zhvillohet veçmas nga paditë e ngritura tashmë nga disa familje të viktimave kundër OpenAI-së në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së për Distriktin Verior të Kalifornisë. Të dy proceset do të vazhdojnë në mënyrë të pavarur dhe paralelisht.

Exit mobile version