Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse Aristoteli do ta urrente Ditën e Shën Valentinit?

Pse Aristoteli do ta urrente Ditën e Shën Valentinit?

Sipas tij, dashuria është praktikë e përditshme virtyti dhe jo një marketing njëditor…

Dita e Shën Valentinit, është tradicionalisht koha e tullumbaceve në formë zemre, trëndafilave të shtrenjtë dhe restoranteve të rezervuara. Çiftet shfaqin publikisht përkushtimin e tyre përmes gjesteve madhështore, duke u përpjekur të provojnë dashurinë në një ditë të vetme.

Megjithatë, për filozofin e lashtë grek, Aristotelin, kjo qasje e keqkupton plotësisht natyrën e dashurisë. Për të, dashuria e vërtetë nuk është pasioni intensiv apo dhuratat e shtrenjta, por një angazhim i vazhdueshëm për ta ndihmuar partnerin të rritet në versionin e tij më të mirë.

Në veprën e tij “Etika Nikomake’ e vitit 355 Para Erës Sonë, ai argumenton se ne jemi “krijesa çiftëzuese” dhe se ndarja e një jete kërkon më shumë se sa një shkëndijë momentale. Ajo kërkon praktikë dhe virtyt. Aristoteli propozoi pesë hapa për të dashuruar shëndetshëm:

1. Dëshiro të mirën: Promovo interesat e tjetrit ashtu si të tuat.

2. Siguria: Puno për sigurinë e partnerit si për veten.

3. Shoqëria: Shijo kohën e përbashkët, kujtimet dhe shpresat për të ardhmen.

4. Racionaliteti: Sigurohu që dëshirat tuaja të jenë pjesë e një jete “fisnike dhe të virtytshme”

5. Empatia: Ndaj dhimbjet dhe kënaqësitë e tjetrit sikur të ishin tuajat.

Kur Aristoteli thotë se e dashura është “e imja”, ai nuk flet për pronësi, por për përkatësi. Siç i përket gishti dorës, ashtu i përkasin partnerët marrëdhënies së tyre të përbashkët. Ai i konsideronte të dashuruarit si “miq të virtytit”, si gjysmat e tjera të njëri-tjetrit që e bëjnë veten më të mirë për hir të tjetrit.

Dashuria nuk është një ndjenjë pasive, por një aftësi. Të jesh një i dashuruar i mirë do të thotë të përpiqesh të jesh një person më i mirë çdo ditë. Për Aristotelin, dhuratat e 14 shkurtit nuk vlejnë asgjë nëse mungon kujdesi i përditshëm.

Siç shprehej ai “Një dallëndyshe nuk sjell pranverën”, ashtu siç një natë magjike nuk mund të vërtetojë apo të mbajë gjallë një dashuri që kërkon një jetë të tërë praktikë dhe sprova. /teshesh

Exit mobile version