Ballina Kuriozitete Pse çokollata po bëhet e shtrenjtë dhe si mundet shkencëtarët t’i ndalin...

Pse çokollata po bëhet e shtrenjtë dhe si mundet shkencëtarët t’i ndalin rritjen e çmimeve

Nëse të është dukur se çokollata kushton më shumë këtë vit, nuk je i vetmi. Sipas të dhënave të Groundwork Collaborative, çmimet e karameleve të Halloween-it në vitin 2025 janë rritur me 10.8% krahasuar me një vit më parë.

Edhe pse tarifat tregtare të vendosura nga SHBA-të ndaj disa vendeve prodhuese të kakaos, si Bregu i Fildishtë, që është furnizuesi më i madh në botë, kanë ndikuar në treg, rritja e fundit e çmimeve ka një shkak tjetër më të thellë: sëmundjet që po shkatërrojnë bimën e kakaos.

Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë, deri në 40% të kokrrave të kakaos humbasin çdo vit për shkak të patogjenëve, veçanërisht kërpudhës Phytophthora, e cila shkakton sëmundjen e njohur si “black pod” ose kalbëzimi kafe. Kjo sëmundje prek frutat e kakaos gjatë periudhave me reshje të shumta, duke i mbuluar me njolla të zeza dhe duke i bërë të papërdorshme.

Për ta shpëtuar një nga kënaqësitë më të dashura të njerëzimit, shkencëtarët e Universitetit Penn State kanë ndërmarrë një hap revolucionar: Modifikimin gjenetik të bimës së kakaos për ta bërë rezistente ndaj sëmundjeve.

Në një studim të publikuar në Plant Biotechnology Journal në vitin 2025, ekipi i udhëhequr nga profesori Mark Guiltinan njoftoi se kishte përdorur teknologjinë CRISPR-Cas9 për të redaktuar gjenin TcNPR3 – një gjen që në mënyrë natyrale “frenon” sistemin imunitar të bimës. Duke e çaktivizuar këtë gjen, studiuesit arritën të krijojnë bimën e parë të kakaos pa transgjenë, e cila shfaqi 42% më pak dëmtime nga sëmundjet.

Metodat tradicionale të përmirësimit të varieteteve të kakaos kërkojnë vite të tëra, ndërsa inxhinieria gjenetike lejon rezultate shumë më të shpejta dhe më të sakta. Edhe pse kjo arritje nuk garanton uljen e menjëhershme të çmimit të çokollatës, ajo mund të ngadalësojë rritjen e kostove të prodhimit dhe të ndihmojë fermerët të mbrojnë të korrat nga humbjet masive.

Tregu global i çokollatës, që vlen miliarda dollarë, duket se ende ka arsye për optimizëm dhe konsumatorët nuk duhet të heqin dorë nga kënaqësia dhe përfitimet shëndetësore të çokollatës së zezë, të paktën për tani.

Exit mobile version