Është e habitshme se si disa prej bashkëkombësve tanë shqiptarë katolikë, që prej vitit 1478 e deri më sot, ende e kanë të vështirë të pranojnë faktin historik se vëllezërit e tyre nga i njëjti gjak janë bërë myslimanë në mënyrë masive dhe ky tashmë është një realitet i kryer.
Në kushtet e botës moderne, nuk pritet më të ketë konvertime fetare masive, siç ndodhi në të kaluarën mesjetare. Shqiptarët pritet të mbeten në gjendjen e tyre aktuale: ata që janë katolikë apo ortodoksë, do të vazhdojnë të jenë të tillë; dhe po ashtu ata që janë myslimanë le të mbesin të tillë. Ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve është përkatësia ndaj shqiptarisë dhe identitetit tonë kombetar.
Për ata që sot “qyrraven” duke shprehur shqetësim apo kundërshtim publik lidhur me këtë realitet, nuk është e nevojshme të reagohet me tension. Është më e mençur të kuptohet se këto qëndrime nuk mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë, e cila është e vendosur. Ky realitet do të mbetet i tillë dhe duhet pranuar si pjesë e mozaikut tonë kombëtar.
Halil Avdulli
