Si lidhet një projekt në Bristol të Britanise me kapitalin izraelit
Një projekt i ri ndërtimi në qytetin e Bristolit, në Mbretërinë e Bashkuar, po ngjall debat për shkak të lidhjeve financiare me kompani izraelite që kritikohen për investime në infrastrukturën ushtarake dhe në vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara.
Bëhet fjalë për kompleksin St James House, i cili përfshin një kullë 28-katëshe për akomodimin e studentëve dhe një ndërtesë tjetër 18-katëshe për banim. Pasi të përfundojë, kulla pritet të jetë ndër ndërtesat më të larta të Bristolit dhe një simbol i transformimit urban të qytetit.
Sipas një investigimi të Middle East Eye, projekti financohet nga firma britanike e investimeve Cain International dhe kompania izraelite e pensioneve dhe sigurimeve Menora Mivtachim, një nga institucionet më të mëdha financiare në Izrael.
Ky investim nuk është thjesht një projekt i zakonshëm ndërtimi, por pjesë e një rrjeti më të gjerë kapitali që lidh fondet e Gjirit Persik, investitorët izraelitë dhe tregjet perëndimore të pasurive të paluajtshme.
Menora Mivtachim është përmendur nga organizata kërkimore izraelite “Who Profits” si investitore në projekte infrastrukturore të ushtrisë izraelite, përfshirë bazat ushtarake në shkretëtirën Negev dhe kompani që operojnë në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Kjo ka bërë që kritikët ta konsiderojnë kompaninë pjesë të mekanizmave ekonomikë që mbështesin politikat e Izraelit ndaj palestinezëve.
Ndërkohë, Cain International kontrollon një portofol prej miliarda dollarësh në sektorin e pasurive të paluajtshme luksoze dhe është zgjeruar vitet e fundit në tregun britanik të akomodimit për studentë.
Përveç Bristolit, kompania ka projekte të ngjashme në Leeds, Liverpool, Manchester, Nottingham dhe York.
Investigimi vë në dukje se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Cain, Jonathan Goldstein, ka qenë kryetar i organizatës pro-izraelite Jewish Leadership Council dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në fushatat politike kundër ish-liderit laburist Jeremy Corbyn, duke e akuzuar atë për dështim në luftën kundër antisemitizmit.
Goldstein ka shprehur publikisht mbështetje për veprimet e Izraelit pas sulmit të 7 tetorit 2023 dhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtues të lartë politikë izraelitë.
Por lidhjet financiare të Cain nuk kufizohen vetëm në Izrael. Kompania bashkëpunon edhe me fondet sovrane të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite, ndërsa së fundmi ka krijuar partneritete edhe me kompaninë e familjes Kushner në Shtetet e Bashkuara.
Investigimi argumenton se këto investime janë pjesë e një rrjeti ekonomik të krijuar pas Marrëveshjeve të Abrahamit, që ka lehtësuar rrjedhjen e kapitalit ndërmjet shteteve të Gjirit, Izraelit dhe tregjeve perëndimore.
Në të njëjtën kohë, Bristoli mbetet një nga qendrat më aktive të solidaritetit me Palestinën në Britani. Qyteti ka përjetuar protesta të vazhdueshme kundër luftës në Gaza, fushata bojkoti ndaj kompanive të lidhura me Izraelin dhe aktivitete të shumta në mbështetje të palestinezëve.
Kjo krijon një kontrast të fortë: ndërsa një pjesë e qytetit proteston kundër luftës në Gaza, ndërtesa më e lartë e Bristolit financohet nga kapital që lidhet me strukturat ekonomike dhe ushtarake të Izraelit.
St James House është shndërruar në një simbol të mënyrës se si kapitali global qarkullon nga fondet e pasurisë së Gjirit, përmes investitorëve izraelitë, drejt projekteve të mëdha të zhvillimit urban në Evropë. \tesheshi
