Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse kjo luftë mund të sjellë rënien e SHBA-së si fuqi globale…

Pse kjo luftë mund të sjellë rënien e SHBA-së si fuqi globale…

Shpërfillja e sfidave të vërteta nga Kina dhe Rusia në favor të konflikteve periferike: mësimet e historisë që po harrohen nga Uashingtoni

Politologu dhe gazetari i njohur amerikan Fareed Zakaria, thotë se Amerika po rrezikon të përsërisë gabimet tragjike të historisë duke shpërdoruar burimet e saj në periferi të sistemit botëror.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, ai paralajmëron se fuqitë e mëdha nuk bien zakonisht nga pushtimet e ushtrive të huaja, por sepse e mbingarkojnë veten me angazhime dytësore, duke neglizhuar sfidat e tyre ekzistenciale.

“Kjo është saktësisht ajo që po bën Amerika sot!”- thotë ai, duke vënë në dukje se rënia e një hegjemonie ndodh kur prioriteti strategjik, humbet në favor të krizave të përkohshme dhe ndërhyrjeve emocionale.

Zakaria përdor si një analogji të fuqishme rënien e Perandorisë Britanike midis viteve 1880 – 1920. Gjatë asaj periudhe, ndërsa Londra shpenzonte miliona paund dhe dërgonte qindra mijëra ushtarë në vende si Sudani, Somalia, Iraku dhe Jordania, ajo humbi vëmendjen ndaj fuqive të vërteta në rritje.

Përtej oqeanit, Shtetet e Bashkuara po ndërtonin ekonominë më të përparuar industriale që bota kishte parë ndonjëherë, ndërsa në Evropë, Gjermania po riarmatosej me shpejtësi. Britania ishte shumë e zënë me “stabilizimin” e rajoneve periferike të perandorisë për të kuptuar se po e humbte gradualisht pozicionin e saj si fuqia kryesore globale.

Sipas analistit, ky “tundim perandorak” po përsëritet sot me Uashingtonin. Duke u përfshirë në pika të nxehta si Venezuela, Irani apo potencialisht Kuba, SHBA-ja po rrezikon jo vetëm prestigjin, por edhe burimet e saj të fundme.

Ai argumenton se rreziku më i madh nuk është dështimi taktik në këto rajone, por shpërfillja e sfidave qendrore gjeopolitike: Kinës dhe Rusisë. Ndërsa Amerika luan rolin e policit në Lindjen e Mesme, Kina po qëndron larg këtyre krizave dhe po investon masivisht në inteligjencën artificiale, kompjuterët kuantikë, energjinë e rinovueshme dhe robotikën – fusha që do të përcaktojnë ekuilibrin e ardhshëm të fuqisë botërore.

Për Zakarian, roli i domosdoshëm i Amerikës duhet të jetë pozicionimi i sistemit global kundër ambicieve revizioniste të Pekinit dhe Moskës. Ai e konsideron absurde derdhjen e gjakut dhe parave në Iran, një krizë që sipas tij u sajua nga Donald Trump nën ndikimin e Benjamin Netanyahut.

Edhe pse ndan mendimin me lëvizjen MAGA, se Amerika duhet të shmangë aventurat ushtarake të kushtueshme, ai thekson se SHBA ka përgjegjësi globale që kërkojnë një moderim të mençur dhe një dallim të qartë midis interesave jetike he atyre periferike.

Situata aktuale në Iran, shihet si një “çmenduri”, sidomos në raport me luftën në Ukrainë. Sulmi ndaj Teheranit ka devijuar sistemet jetike të mbrojtjes raketore dhe vëmendjen politike, duke i dhënë Vladimir Putinit më shumë hapësirë dhe burime financiare për të vazhduar agresionin e tij.

Në fund, Zakaria paralajmëron se kjo shpërndarje e gabuar e forcave, mund të çojë në dështimin e objektivave si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë. Nëse Amerika vazhdon të ndjekë këtë rrugë shpërqendruese, ajo do të vulosë përfundimisht rënien e saj si një fuqi hegjemonike globale. /tesheshi

Exit mobile version