Kompania e njohur e veturave, Skoda, qe disa muaj ka nisur të nxjerrë detaje nga gjenerata e re e modelit Superb. Tani fotografitë më të reja tregojnë ambientin ku do ta kalojnë kohën zotëruesit e veturës: kabinën e re të mençur të modelit Superb.
Vetura pritet të dalë në shitje vitin e ardhshëm, ndërsa pritet të prezantohet sivjet.
Fotografitë e nga jashtë kanë treguar stilin e gjeneratës së re, me grilë të re e drita të teknologjisë më të lartë. Kryesisht, Skoda do t’i ruajë tiparet e veta, sa i përket eksterierit, shkruan “Auto-Express”.
Image
Por brenda gjithçka do të jetë ndryshe. Vetura do t’i ketë tri pulla fizike që do të kontrollojnë funksione të ndryshme të brendshme. Ato do të gjenden në qendër. Kontrolluesit e klimës tani do të kenë aftësi shumëfunksionale. Këto butona Skoda po i cilëson të mençura. Ato pritet të kryejnë punë edhe për ekranin e madh në mes të veturës e të kenë qasje edhe në kontroll të shpejtësisë.
Skoda ia ka ndërruar vendin edhe përzgjedhësit të marsheve duke e bërë si në stilin e Mercedesit.
Gjenerata e re e modelit Superb s’do të ketë version vetëm elektrik. Do të ketë motorët e gjeneratës së fundit me djegie. Do të jenë dy lloje motorësh me naftë, me 148 ose 192 kuajfuqi. Versioni benzinë vjen në tri forma, një hibrid të thjeshtë me 1.5-litra dhe 148 kuajfuqi, një 2.0-litërsh me 204 ose 265 kuajfuqi dhe një 1.5-litërsh të kombinuar me bateri në version hibrid me bateri. /koha
