Ballina Lajmet Kosovë Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna, Rama takim urgjent me...

Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna, Rama takim urgjent me Qeverinë

Përfaqësuesi i sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje kërkojnë përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës për borxhet e deritashme. E kryetari Rama ka kërkuar takim urgjent me Qeverinë në detyrë.

Nga dita e dytë e protestës, në një deklaratë për media Gashi ka kërkuar falje për ndaljen e shërbimeve. Ai ka kërkuar që Komuna të marrë përgjegjësinë për larjen e borxhit.

“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve të Prishtinës që e kanë shfrytëzuar transportin publik, trafikun urban dhe ata privatë në bashkëpunim me Komunën… për mungesë të reflektimit të komunës, ku ajo po është e bazuar me të drejtë që në baza kontraktuale është borxhli i Trafikut Urban. Shuma e borxhit është 3.2 milionë euro”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se Ministria e Financave i ka alokuar 3.2 milionë euro te komuna, e nga to komuna 600 mijë i ka ndarë për Trafikun Urban.

“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milionë euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë. Ne ishim në Ministri, u takuam me ministrin. Kontaktuam, ata u zotuan se nëse komuna apo asambleja nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, sapo të dalë ai vendim e ia përcjell ministrisë, ajo është e gatshme t’i alokojë mjetet”, ka thënë tutje Gashi.

“Ne jemi sektori publik i transportit. Thërrasim komunën, kryetarin të dalë para masës. Ne jemi punëtorë të komunës. Është e drejtë e jona ta lypim përgjegjësinë aty. Ku shkoi ai dhe e hap derën, për ne le ta merr përgjegjësinë ai”, ka përfunduar ai.

Exit mobile version