Ballina Artikuj Pyetja “me spec” për Izraelin: si e pagoi ky gazetar me pushim...

Pyetja “me spec” për Izraelin: si e pagoi ky gazetar me pushim nga puna

Paula Pinho

“Nëse Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës, a duhet që dhe Izraeli të paguajë edhe për Gazën?”, pyeti gazetari Gabriele Nunziati zëdhënësen e Komisionit Evropian Paula Pinho në Bruksel.

Dy javë më vonë, korrespondenti i agjencisë Nova mori një letër që njoftonte ndërprerjen e punësimit të tij. Rasti shkaktoi polemika, me Këshillin e Gazetarëve Italianë që bëri thirrje që kolegu i tyre të rikthehej në punë, sipas të përditshmes italiane La Repubblica.

E gjitha ndodhi më 13 tetor gjatë një takimi informimi në mesditë midis udhëheqësve të Komisionit Evropian dhe gazetarëve me qendër në Bruksel. Armëpushimi në Gaza kishte hyrë në fuqi disa ditë më parë. Nunziati po merrte pjesë në një nga konferencat tradicionale për shtyp që ekzekutivi i BE-së mban për korrespondentët në Bruksel. Ai iu drejtua Pinho-s për të pyetur nëse Komisioni Evropian beson se Izraeli duhet të paguajë për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke pasur parasysh se ka thënë se Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës. Pinho e quajti pyetjen “interesante” dhe shtoi se Komisioni nuk kishte ndërmend të komentonte.

Kaluan pesëmbëdhjetë ditë dhe më 27 tetor, agjencia e tij e lajmeve njoftoi ndërprerjen e punësimit të tij. Një video e pyetjes së sikletshme filloi të qarkullonte në internet, duke shkaktuar polemika, por mbi të gjitha mbështetje për gazetarin e pushuar nga puna.

“Nuk mund të pushoni një gazetar për një pyetje”, theksoi Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Gazetarëve në një deklaratë, duke shprehur “befasinë për incidentin” rreth pyetjes së bërë ndaj zëdhënëses së Komisionit Evropian, të cilën agjencia me të cilën ai punoi e vlerësoi më pas si “të papërshtatshme dhe teknikisht të pasaktë”.

Këshilli Kombëtar i Urdhrit “kujton se roli i gazetarëve, pavarësisht mbrojtjes kontraktuale, është të bëjnë pyetje që mund të jenë të pakëndshme ose të padëshirueshme, prandaj, kërkon që kolegu i tij të rikthehet menjëherë në pozicionin e tij të plotë.”

Sandro Ruotolo, një eurodeputet i Partisë Demokratike dhe oficer informacioni në sekretariatin e Partisë Demokratike, shprehu solidaritet me Nunziati-n.

“Shkarkimi nga puna i një gazetari për shkak se bëri një pyetje, pavarësisht se sa e pakëndshme ose kontraverse, është një çështje shumë serioze që duhet të alarmojë këdo që interesohet për lirinë e shtypit. Ne pranojmë shpjegimet e dhëna nga Agenzia Nova, sipas të cilave pyetja ishte ‘teknikisht e gabuar’. Por e vërteta është se nuk ka pyetje të gabuar. Në gazetari, si në demokraci, ka vetëm pyetje, ato që shërbejnë për të kërkuar përgjigje, edhe kur ato provokojnë polemika”, tha Ruotolo.

Eurodeputetja Ilaria Salis komentoi në rrjetin social X: “Është jashtëzakonisht serioze që një gazetar është shkarkuar nga puna për shkak se bëri një pyetje ‘të pakëndshme’, e cila nxjerr në pah standardet e dyfishta të papranueshme të Bashkimit Evropian. Ky është një sinjal alarmues për lirinë e shtypit.”

Komisioni i BE-së raportoi se “nuk kishte kontakt me agjencinë Nova” në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënieve me gazetarin, tha zëdhënësja kryesore e BE-së, Paula Pinho.

Ajo shtoi se “nuk kemi të bëjmë fare me këtë vendim të fundit pasi pyetjet mbi këtë çështje specifike duhet t’i drejtohen Nova-s”, tha Pinho, duke vënë në dukje se Komisioni “i kushton rëndësi të madhe lirisë së shtypit. Në këtë kontekst, është gjithmonë i disponueshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje gjatë konferencës për shtyp të mesditës.” /tesheshi

Exit mobile version