Ballina Artikuj Qëndroni drejt si minaret!

Qëndroni drejt si minaret!

Ali Skaik

Restaurimi i një xhamie në prag të Ramazanit që u dha edhe më shumë forcë banorëve në Gaza

Nga Ali Skaik, Elektronic Intifada

Për dy vjet, qielli mbi Gazën ka qenë burim terrori të pamëshirshëm, ndërsa toka poshtë nesh një varrezë për njerëzit, shtëpitë dhe xhamitë. Logjika e Izraelit dikton se çdo tubim është kërcënim; prandaj, xhamia është shënjestër.

Kemi kaluar dy Ramazanë duke u lutur me pëshpëritje në cepa tendash, nga frika se përulja kolektive mund të nxiste një sulm raketor. Në fillim të vitit 2024, pasi shtëpia ime në lagjen Al-Rimal u shkatërrua, kuptova se lufta kishte marrë diçka më të thellë se prona. Isha bërë një “robot emocional” – një automat që dukej si njeri, por nuk ndiente asgjë.

Kur mora lajmin për martirizimin e kushëririt tim, Abdel Wahab, e prita me një heshtje të zbrazët. Mendova se zemra ime ishte shndërruar në gur, e mbuluar nga pluhuri gri që vesh rrugët dhe shpirtrat tanë.

Por, ndërsa ky Ramazan po afrohej, “roboti” brenda meje filloi të mos funksiononte. Katalizatori ishte një vendosmëri kolektive për të pastruar rrënojat dhe për të rindërtuar xhaminë tonë lokale, Al-Kinz.

E hapur në vitin 1947, ajo ishte xhamia e parë në Al-Rimal dhe ishte qendra e jetës sonë shpirtërore. Sulmi ndaj saj ishte sistematik. Më 11 nëntor 2023, predhat ranë ndërsa muezini thërriste për namazin e sabahut.

Sulmi përfundimtar ndodhi më 27 nëntor, kur raketat shkatërruan më shumë se gjysmën e strukturës. Për muaj të tërë, thirrja për lutje u hesht dhe 1.500 besimtarët e saj u shpërndanë ose u varrosën.

Kur armëpushimi i tretë u njoftua në tetor, u kthyem në një lagje që dukej si peizazh hënor. Kishim humbur mbi 100 fqinjë. Dhimbja ishte mbytëse, por mes nesh u shfaq një konsensus: na duhej një vend ku balli të prekte tokën.

Rindërtimi filloi me duart e të rinjve të lagjes. Ajo që kishte mbetur nga xhamia – rreth 400 metra katrorë – ishte e mbushur me mbeturina dhe çatia rrezikonte shembjen. Kaluam javë duke pastruar dhe duke ndërtuar një çati të improvizuar me shtylla hekuri dhe fletë vinili.

Në dimër, era ulërinte dhe shiu depërtonte, por ajo ngrehin u bë vija e parë e rezistencës sonë shpirtërore. Më 17 shkurt, shkova 30 minuta përpara për të gjetur vend. Për habinë time, hapësira ishte tashmë plot. Burra dhe djem dilnin nga rrënojat me qilimat e tyre të lutjes.

Kur zëri i imamit u ngrit me vargun: “Mos thuaj se ata që janë martirizuar në rrugën e Zotit janë të vdekur – ata janë gjallë!”, ndjeva një çlirim të brendshëm. Vargu depërtoi në mpirjen time dyvjeçare.

Nisa të qaja, por jo vetëm për të vdekurit. Po qaja sepse munda të ndieja përsëri. Po luteshim si komunitet besimtarësh, një skenë që s’kishim guxuar ta ëndërronim në kulmin e bombardimeve. Era e ftohtë na fshikullonte, por unë ndjeva një qetësi të thellë.

Sot, Al-Kinz është sërish zemra e Al-Rimalit. Ajo mbetet e hapur gjithë ditën. Miqtë e zhvendosur nga zona të tjera organizohen që të takohen këtu, duke ndarë historitë e tyre. Për mua, ky restaurim është kthyer në ritual rimëkëmbjeje.

Çdo mëngjes bashkohem me një rreth djemsh 12-15 vjeç për të recituar Kuranin. Fëmijët si Rafiq dhe Omar tregojnë se u mungon minarja, por mblidhen këtu sepse kjo u pakëson vetminë.

Kur kthehem në shtëpi në orën 8:00, nuk jam më robot. Jam gati të përballem me ditën me mendje të kthjellët, i shoqëruar nga cicërima e zogjve – një tingull që nuk e kisha dëgjuar prej dy vitesh. Gjenocidi nuk kishte të bënte vetëm me territorin.

Ai ishte sulm ndaj identitetit tonë. Ata shkatërruan xhamitë për të thyer shpirtin tonë, por harruan se besimi nuk vendoset në mermer. Në një mur të xhamisë Al-Kinz, një dorë sfiduese ka shkruar: “Qëndroni drejt si minaret!”.

Mund të na shembin kupolat, por për sa kohë mblidhemi nën një çati plastike, ne qëndrojmë në këmbë. Thirrja jonë për lutje nuk ka qenë kurrë më e fortë. /tesheshi.com/

Shënim: Ali Skaik është student i anglishtes dhe shkrimtar në qytetin e Gazës.

Exit mobile version