Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qeveria e Serbisë merr vendim për formimin e një ekipi operativ për...

Qeveria e Serbisë merr vendim për formimin e një ekipi operativ për anëtarësimin në BE

Qeveria e Serbisë të hënën mori vendim për formimin e një ekipi operativ, i cili do të ketë rol në koordinimin e zbatimit të përshpejtuar të të gjitha detyrimeve në rrugën evropiane të Serbisë, dhe që do të përbëhet nga përfaqësues të nivelit më të lartë shtetëror, transmeton Anadolu.

Siç është njoftuar nga Qeveria e Serbisë, bëhet fjalë për Vendimin e ndryshuar dhe të plotësuar mbi krijimin e Trupit Koordinues për procesin e anëtarësimit të Republikës së Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Detyra e ekipit operativ do të jetë të sigurojë udhëzime strategjike, koordinim politik dhe zgjidhje në kohë të çështjeve me rëndësi të veçantë për përparimin në negociatat e anëtarësimit.

Siç theksohet, ky ekip përfaqëson lidhjen midis vendimmarrjes në nivelin më të lartë dhe menaxhimit operativ të negociatave dhe do të kontribuojë në veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve përgjegjëse, njoftoi Tanjug.

Shtohet se Ministria për Integrime Evropiane vazhdon të kryejë detyrat e koordinimit profesional, organizativ dhe administrativ, si dhe të sigurojë funksionimin e koordinuar të të gjithë pjesëmarrësve në procesin e negociatave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozoi dje në një seancë tematike të Qeverisë së Serbisë që të formohet një ekip operativ për të forcuar kapacitetet dhe që Serbia të përparojë më shpejt në rrugën evropiane, dhe për president të këtij ekipi operativ propozoi shefin e Misionit të Serbisë pranë BE-së në Bruksel, Danijel Apostoloviq.

Ai propozoi gjithashtu që në ekip të jenë edhe ministri për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabiq, si dhe ministrat e Financave, Sinisha Mali, dhe të Drejtësisë, Nenad Vujiq.

Serbia ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2012, dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në zyrtarisht i ka filluar në janar të vitit 2014.

Exit mobile version