Qeveria në detyrë e Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka shfuqizuar ndalimin e hyrje-daljeve në komunat e Klinës, Malishevës dhe Vitisë, njofton Klan Kosova.
Nga Zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur se ky vendim u mor gjatë mbledhjes së 28 të Qeverisë.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike) të 28-të, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr.01/09 të datës 13.03.2020 dhe vendimit Nr.01/10 të datës 14.03.2020”.
“Ndryshimet dhe plotësimet e miratuara do të shfuqizojnë pjesët e vendimit që ndalojnë hyrje-daljet në komunat e Klinës, Vitisë dhe Malishevës. Vendimi është miratuar me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe obligon të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e tij”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
