Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qeveria në Gaza: Izraeli vazhdon politikën e tij të urisë sistematike ndaj...

Qeveria në Gaza: Izraeli vazhdon politikën e tij të urisë sistematike ndaj palestinezëve

Izraeli vazhdon praktikën e tij të urisë sistematike në Rripin e Gazës duke penguar hyrjen e produkteve ushqimore dhe të ndihmës, transmeton Anadolu.

Ismail al-Sawabite, drejtor i zyrës së mediave të qeverisë palestineze në Gaza, mbajti një konferencë shtypi mbi situatën e fundit në qytet.

“Izraeli vazhdon aktin e tij sistematik të lënies në uri në Rripin e Gazës dhe shton vuajtjet e palestinezëve”, tha Sawabite, duke shtuar se kambanat e alarmit po bien dhe se populli palestinez ka arritur në fazën e katastrofës me urinë dhe vuajtje gjithnjë në rritje.

“Ushtria okupuese vazhdon të zbatojë një politikë sistematike dhe të qëllimshme të urisë kundër më shumë se 2 milionë e 444 mijë palestinezëve, duke përfshirë më shumë se një milion fëmijë dhe afërsisht një milion gra, në Gaza gjatë gjithë gjenocidit që ka vazhduar për më shumë se 430 ditë. Izraeli, duke bllokuar hyrjet dhe daljet në Gaza, po pengon hyrjen e ushqimit dhe ndihmave dhe kjo rrit krizën e gjerë humanitare”, u shpreh Sawabite.

Pasi vuri në dukje se përgjegjësia për fatkeqësinë në Rripin e Gazës i takon Izraelit, Sawabite i bëri thirrje të gjithë botës që të dënojë këtë krim që shkel ligjin ndërkombëtar.

Duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat e tij dhe institucionet e OKB-së që të ndërhyjnë në këtë situatë të vështirë humanitare për të zgjidhur menjëherë krizën ushqimore në Gaza, Sawabite vuri në dukje se “Praktika e urisë sistematike është më e rrezikshmja në mesin e krimeve që Izraeli ka kryer kundër popullit palestinez”.

Exit mobile version