Duke e parë me shqetësim situatën ekonomike të krijuar pas
shpërthimit të pandemisë COVID-19, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike
Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve
Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kërkojnë nga Qeveria në detyrë e
Republikës së Kosovës që të prezantojë me prioritet pakon e masave emergjente
në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga masat e ndërmarra
për përhapjen e pandemisë.
Duke përsëritur qëndrimin e tyre se mbrojtja e sektorit privat është jetike për
një ekonomi të qëndrueshme dhe mirëqenie, ashtu si edhe për të ruajtur aftësinë
e shtetit për mbledhjen e të hyrave buxhetore, organizatat që përfaqësojnë
interesat e sektorit privat, ritheksojnë nevojën e përpilimit dhe zbatimit të
një programi të mbështetjes qeveritare me qëllim të ndërhyrjes së shpejtë dhe
gjithëpërfshirëse për shpëtimin e vendeve të punës.
Duke pasur parasysh impaktin tejet negativ që pandemia COVID-19 ka pasur në
tërë sistemin ekonomik dhe vonesën e institucioneve për t’u dalë në ndihmë
ndërmarrjeve të prekura, një numër i madh i punonjësve të vendit do të mbeten
pa të ardhura që nga muaji mars. Një situatë e tillë do të ndikonte në
thellimin e mëtejmë të gjendjes, tashmë të vështirë sociale në vend.
Prandaj organizatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që jo më larg se këtë javë
të aprovojë programin e likuiditetit i cili do të përfshinte: (1) Një pako
financiare në vlerë prej së paku 300 milionë eurosh për fazën emergjente, (2)
Subvencionimin e pagave për punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve, aktiviteti i
të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, (3) Subvencionimin
e pagesave të qirasë për të gjitha ndërmarrjet, aktiviteti i të cilave është
ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, dhe (4) Subvencionimin e të gjitha
shpenzimeve të tjera operative për të gjitha ndërmarrjet aktiviteti i të cilave
është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe.
Organizatat e biznesit besojnë fuqishëm se Kosova ka kapacitetet e nevojshme
buxhetore për ndërhyrje financiare, që do të mund të realizohej përmes
riorientimit të mjeteve të planifikuara për investime kapitale, në programin e
propozuar të likuiditetit. Po ashtu, odat ekonomike rikujtojnë Qeverinë se
përqindja e borxhit publik ndaj bruto produktit vendor është e ulët, gjë që
lejon hapësirën e nevojshme për rritje të nivelit të huamarrjes me qëllim të
mbajtjes së rritjes ekonomike në nivel të dëshiruar.
Po ashtu, Qeveria në detyrë, duhet të nisë menjëherë përpilimin e një programi
të rimëkëmbjes për fazën e paspërfundimit të pandemisë COVID-19, i cili do të
përfshinte mjete monetare nga buxheti i vendit, por edhe nga organizatat
financiare ndërkombëtare. Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate kërkojnë
edhe Kuvendi i Kosovës që të mbështesë masat e prezantuara nga Qeveria në
detyrë, përfshirë edhe rishikimin e nevojshëm të buxhetit të vitit 2020.
Krejt në fund, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda
Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i
Prodhuesve të Kosovës, mbesin të zotuara që të ofrojnë përkrahjen e parezervë
dhe ekspertizën e tyre në përpilimin e programit, por edhe në identifikimin e
fondeve të vëna në dispozicion për qeveritë dhe sektorin privat në shtetet e
prekura nga pandemia.