Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka shfuqizuar sot vendimin që kishte marrë Qeveria Haradinaj në fund të vitit 2017 për rritjen e pagave për vete.
Vendimi nuk ka efekt për uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë.
“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka thënë Kurti.
Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Haradinajt nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.
Sipas Ligjit për Gjykatat paga e kryeministrit dhe e zyrtarëve të tjerë në kabinetin qeveritar është ekuivalente me pagat në sektorin e drejtësisë. Kjo kishte bërë që pagat, pos Haradinajt dhe kabinetit të tij, ishin rritur edhe në këtë sektor. Më vonë ishte votuar Ligji për paga që parashihte rregullimin edhe të pagave të kabinetit qeveritar.
Ligji për pagat parashihte zvogëlimin e pagave edhe për kryeministrin, por ky ligj është pezulluar deri në mars pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen e sotme Qeveria ka vendosur edhe për shfuqizimin e disa vendimeve të tjera që ndërlidhen me strukturën organizative të Zyrës së kryeministrit.