Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qindra alarme të rreme për bomba në Bosnje Hercegovinë

Qindra alarme të rreme për bomba në Bosnje Hercegovinë

Gjykatat në Sarajevë dhe një spital publik boshnjak u evakuuan të enjten për shkak të alarmeve të rreme për bomba, të fundit nga më shumë se 500 alarme të tillë që vunë në shënjestër gjithashtu qindra shkolla, duke i detyruar ato të mbyllen përkohësisht.

Qindra pacientë dhe anëtarë të stafit mjekësor u evakuuan pasi spitali universitar në qytetin verior të Banja Lukës mori një e-mail që paralajmëronte se ishte vendosur një bombë, tha drejtori i spitalit Vlado Djajic. Mesazhi kërcënonte se do të “hidhte në erë jobesimtarët” dhe në të shkruhej “Allahu është i madh”.

Pas kontrollit të ambienteve, policia konfirmoi se ishte një alarm i rremë.

Midis institucioneve publike të shënjestruara të enjten ishin edhe Komisioni Kombëtar Zgjedhor dhe disa gjykata në Sarajevë.

Autoritetet thanë se nuk dihen as motivi dhe as autorët e kërcënimeve. Gjykatat në Sarajevë i përshkruan ato si “terrorizëm”.

E-mailet e dërguara në Republika Srpska erdhën nga një adresë e organizuar nga gjigandi i teknologjisë ruse “Yandex”, i njohur ndryshe si “Google-i rus”, sipas gazetës së përditshme boshnjake Oslobodjenje.

Gjatë bisedimeve të fundit me liderët e Bosnjës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi nevojën për të rritur bashkëpunimin e sigurisë kibernetike me kombin ballkanas.

Edhe Serbia ka marrë gjithashtu një valë alarmesh të rreme për bomba gjatë javëve të fundit, të cilat kanë ndërprerë funksionimin e shkollave. /rel

Exit mobile version