Më shumë se 600 kolonë izraelitë të paligjshëm hynë me forcë në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar sot për të festuar festën hebraike Hanuka, njoftuan autoritetet palestineze, transmeton Anadolu.
Zyra e Guvernatorit të Kudsit bëri të ditur në një deklaratë në platformën amerikane Facebook se 645 kolonë të paligjshëm depërtuan në këtë lokacion të ndjeshëm në orët e mëngjesit.
Në deklaratë u shtua se edhe 250 turistë të huaj hynë në xhami përmes një porte të administruar nga autoritetet izraelite.
Sipas zyrës, grupe të mëdha kolonësh të paligjshëm organizuan festime të zhurmshme mbrëmë pranë Murit Perëndimor (Muri Al-Buraq) për të shënuar fillimin e një muaji të ri në kalendarin hebraik dhe natën e gjashtë të festës Hanuka.
Muri Al-Buraq, i njohur nga hebrenjtë si Muri Perëndimor ose Muri i Vajtimeve, është një vend i rëndësishëm fetar si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë dhe përbën pjesë të kompleksit të Al-Aksasë.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për myslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty ndodheshin dy tempuj hebraikë në kohët e lashta.
Izraeli e pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet xhamia Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Në vitin 1980 ai e aneksoi të gjithë qytetin, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
