Kontrollet sistematike dhe sulmet e vazhdueshme, si mjete për shpopullimin e Rripit dhe izolimin e palestinezëve
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor 2025, realiteti në Gaza mbetet tragjik. Izraeli ka vrarë më shumë se 630 palestinezë dhe ka plagosur mbi 1.700 të tjerë. Ndihmat humanitare mbeten simbolike.
Vetëm një pjesë e vogël e kamionëve të premtuar lejohen të hyjnë, duke e lënë popullsinë pa ushqim, strehim dhe kujdes mjekësor. Këtë dimër, foshnjat kanë ngrirë në tenda, ndërsa furnizimet bazë bllokohen nga ushtria.
Ky nuk është fundi i një gjenocidi, por thjesht faza tjetër e tij. Edhe gjatë muajit që lamë pas kanë vazhduar sulmet ajrore izraelite. Vetëm më 1 shkurt u vranë 35 persona, përfshirë raste absurde ku civilët u shënjestruan ndërsa kërkonin leje për festa dasme apo denonconin vjedhje.
Si pjesë e marrëveshjes, Izraeli pranoi të rihapte kalimin e Rafah-ut me Egjiptin, por kjo ndodhi me kushte poshtëruese. Negociatorët izraelitë këmbëngulën që numri i palestinezëve që largohen të jetë më i madh se i atyre që kthehen, një përpjekje kjo e qartë për shpopullimin e rajonit.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Gaza është shkatërruar plotësisht. Rreth 20.000 persona kanë lëndime serioze dhe kërkojnë evakuim urgjent, por Izraeli lejon vetëm 50 pacientë në ditë. Për shumë të tjerë, kjo është tepër vonë.
Mbi 1.250 palestinezë kanë vdekur duke pritur radhën për evakuim që nga maji i vitit 2024. Në ditët e para të rihapjes, shifrat ishin tallëse. Vetëm 8 pacientë u lejuan të largoheshin, ndërsa sulmet ajrore godisnin deri edhe shërbimet mortore.
Për ata që zgjedhin të kthehen në rrënojat e Gazës, rruga është e mbushur me poshtërim. Ushtria izraelite ua sekuestron sendet personale, përfshirë lodrat e fëmijëve, ndërsa të kthyerit merren në pyetje me orë të tëra me sytë e lidhur. Në rrënojat e pikës kufitare, Izraeli ka ngritur gardhe dhe tabela në anglisht e arabisht, që shërbejnë si kujtesë për kontrollin absolut mbi këtë “kamp përqendrimi” modern.
Sot, Rafah-u nuk është më porta e Gazës drejt botës, por një peizazh rrënojash ku dy milionë njerëz mbijetojnë në çadra. Vetëm pak kilometra larg vendkalimit ndodhet “Vija e Verdhë”, kufiri i ri që Izraeli ka vendosur brenda tokës së Gazës, ku kushdo që afrohet rrezikon vdekjen e menjëhershme.
Bota e ka zhgënjyer Gazën; sistemi mjekësor është asgjësuar dhe mbi 1.400 punonjës shëndetësorë janë vrarë. Gjithsesi, kalimi kufitar i Rafah-ut simbolizon më shumë se një pikë tranziti. Ai është lidhja e fundit e Gazës me njerëzimin.
Një kufi që mund të kalohet, dëshmon se gjenocidi nuk ndodh diku “larg”, por është një vendim i qëllimshëm politik për të bllokuar ushqimin dhe jetën. /tesheshi
