Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se në Bordin e Paqes do të kontribuojnë për popullin e Gazës dhe për rajonin, transmeton Anadolu.
Gjatë vizitës në Izrael, Rama mbajti një fjalim në Parlamentin izraelit (Knesset), ku u fokusua në disa çështje.
“Nuk ka dyshim se një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet edhe me faktin se vij këtu, pak ditë pasi Parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar Presidentit (amerikan Donald) Trump në përpjekjet e tij për paqe dhe zgjidhje konfliktesh, dhe për ta bërë Shqipërinë anëtare themeluese të Bordit të tij të Paqes, ku do kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese dhe begatie për popullin e Gazës e për rajonin”, tha Rama.
Më 22 janar Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Rama ka shtuar se së shpejti do të hapin në qytetin e Vlorës muzeun kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve.
“Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza”, tha ndër të tjera Rama.
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Izrael në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
