Retorika e paranojës dhe përdorimi i policisë si mburojë politike
Në fjalimin e tij të sotëmt para drejtuesve të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama zgjodhi të shfaqet sërish me një gur në dorë, duke e shndërruar podiumin zyrtar në një skenë teatrale paniku dhe paternalizmi autokratik.
Përballë një vale protestash të dhunshme dhe pakënaqësish legjitime sociale, Rama bëri atë që di të bëjë më mirë: minimizoi dramën e qytetarëve, fshiu çdo përgjegjësi qeverisëse dhe fajësoi “të huajt”, “Antifën” dhe opozitën.
Kjo qasje aspak suprizë, pasqyron në mënyrë të frikshme dështimin e një pushteti që, kur ndodhet përballë zemërimit popullor, nuk gjen dot gjuhë tjetër veçse kërcënimit.
Retorika e përdorur sot nga Rama të sjell ndër mend, si një kopje e zbehtë por më cinike, skenat e shëmtuara të 15 viteve më parë, pas tragjedisë së 21 Janarit 2011.
Atëherë, Sali Berisha – në rolin e kryeministrit të zhytur në krizë – mblodhi kupolën e policisë dhe të Gardës për t’i lëvduar për “vetëpërmbajtjen” (edhe pse ishin vrarë katër protestues dhe plagosur dhjetëra të tjerë), ndërsa argumentonte se protestuesit ishin përbindësha të nxitur nga narkotrafikantë dhe puçistë që kërkonin rrëzimin e rendit kushtetues.
Sot, Rama ndjek pikërisht të njëjtën trajektore politike e mediatike. Ai mbron verbërisht strukturat e rendit duke u shpërndarë shpërblime financiare prej 2500 eurosh, ndërkohë që nga ana tjetër paralajmëron masa ndëshkimore drastike: heqje bursash e të drejte për arsim falas për studentët, si dhe faturë financiare për familjet e të miturve që protestojnë, duke i trajtuar qytetarët e tij si armiq të brendshëm.
Përdorimi i policisë si mburojë politike dhe si mjet propagande, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të fshehur krizën e thellë të besimit dhe paaftësinë për t’i dhënë zgjidhje çështjeve reale.
Në vitin 2011, Berisha fliste për tentativa përmbysjeje me dhunë nga opozita e atëhershme dhe “organizatorë të jashtëm”. Sot Rama flet për “mish për top”, për adoleshentë të ideologjizuar nga fryma e Antifa-s dhe për fyerje nga “periferia”, vetëm e vetëm për të shmangur pasqyrën e realitetit të vështirë ekonomik ku jetojnë shqiptarët.
