Ballina Artikuj Ramazani: Thyerja e rutinës për të rizgjuar përjetimin

Ramazani: Thyerja e rutinës për të rizgjuar përjetimin

Hoxhë Korab Hajraj

Njeriu nga natyra është qenie që përshtatet. Ai adaptohet shpejt me rrethanat, me ambientin dhe sidomos me rutinën. Truri i njeriut madje e pëlqen rutinën, sepse ajo i mundëson që shumë veprime t’i kryejë në mënyrë mekanike, pa shpenzuar shumë energji mendore. Kjo është e dobishme për funksionimin e përditshëm të jetës, por njëkohësisht mbart edhe rrezik në vetvete: kur gjërat bëhen thjesht rutinë, ato pushojnë së përjetuari. Njeriu mund të jetojë, por pa e ndier plotësisht jetën; mund të kryejë veprime, por pa i shijuar ato. Rreziku më i madh i rutinës është pikërisht ky: ajo e shndërron përvojën në mekanizëm.
Në këtë kontekst, Ramazani paraqet një ndërhyrje të thellë në strukturën e jetës së përditshme të njeriut. Ai ndryshon ritmin e ushqimit, kohën e gjumit, mënyrën e funksionimit të ditës dhe natës. Ajo që zakonisht është e zakonshme bëhet e pazakonshme: njeriu nuk ha kur ka ngrënë gjithmonë, zgjohet kur zakonisht fle dhe i jep hapësirë një dimensioni më të thellë të reflektimit dhe adhurimit.
Ky ndryshim nuk është i rastësishëm. Ai ka një funksion të rëndësishëm: ta nxjerrë njeriun nga automatizmi i jetës dhe ta rikthejë tek përjetimi i vetëdijshëm. Kur rutina thyhet, shqisat zgjohen, vëmendja rritet dhe njeriu fillon t’i përjetojë gjërat me më shumë intensitet. Në këtë kuptim, ndryshimi i ritmit në Ramazan është një mjet edukativ dhe shpirtëror. Ai e rikthen përvojën e jetës nga mekanika në vetëdije.
Kjo ide gjen mbështetje edhe në disa orientime të rëndësishme në traditën islame.
Argumenti i parë është vetë fjala hyjnore:
“… Çdo ditë Ai është në një gjendje (çështje) të re.” Er-Rahman: 29
Kjo shpreh një realitet të thellë të ekzistencës: jeta nuk është statike, por dinamike. Çdo ditë sjell një manifestim të ri, një gjendje të re, një përvojë të re. Në këtë mënyrë, edhe besimtari ftohet ta jetojë jetën me vetëdije të re çdo ditë, duke mos e lënë atë të shndërrohet në një cikël të zbrazët përsëritjesh.
Në të njëjtën frymë, transmetohet thënia e njohur e Profetit a.s.
“Ai të cilit i barazohen dy ditët e tij, ai është në humbje…” Transmeton Bejhekiu.
Kuptimi i kësaj është se jeta e besimtarit duhet të jetë gjithmonë në lëvizje dhe përmirësim. Çdo ditë duhet të sjellë një shtim në vetëdije, në përjetim dhe në afrim me Allahun. Kur dita e sotme është identike me të djeshmen, pa zhvillim dhe pa thellim, atëherë njeriu rrezikon të mbetet në stagnim shpirtëror.
Argumenti i tretë është një praktikë e Profetit ﷺ. Transmeton Xhabiri (r.a.):
“Ditën e Bajramit, kthehej rrugës tjetër (nga kishte shkuar).” (Transmeton Buhariu)
Dijetarët kanë përmendur disa urtësi për këtë veprim, por një prej kuptimeve të qarta është pikërisht ndryshimi i përvojës. Një rrugë tjetër do të thotë pamje tjetër, njerëz të tjerë, përjetim tjetër. Një imazh i ri zgjon vëmendjen dhe e bën momentin më të gjallë. Në këtë mënyrë, edhe një veprim i thjeshtë si ndryshimi i rrugës shndërrohet në një mesazh pedagogjik: mos e lër jetën të mpaket nga monotonia.
Ramazani e bën pikërisht këtë në shkallë më të gjerë. Ai e thyen ciklin e zakonshëm të jetës dhe e rikthen njeriun tek vetëdija e përvojës. Por, duke qenë se njeriu është qenie që adaptohet, ekziston rreziku që edhe Ramazani vetë të kthehet në rutinë: agjërimi bëhet zakon, iftari bëhet ritual i përditshëm dhe ndjenja e veçantë fillon të zbehet.
Pikërisht në këtë moment vjen Bajrami.
Bajrami është një ndërprerje tjetër e ciklit. Ai e ndryshon përsëri ritmin, e thyen edhe rutinën e Ramazanit dhe e rikthen dimensionin e gëzimit, falënderimit dhe festimit.
Kështu, në një mënyrë të thellë pedagogjike, Islami e edukon besimtarin të jetojë mes rregullit dhe ripërtëritjes: rregulli e ruan disiplinën e jetës, ndërsa ndryshimi e ruan gjallërinë e përjetimit. Sepse qëllimi nuk është që njeriu vetëm të veprojë, por që ai ta përjetojë me vetëdije çdo moment të jetës dhe të adhurimit. Dhe pikërisht këtë dimension Ramazani përpiqet ta zgjojë tek besimtari çdo vit.

Hoxhë Korab Hajraj

Exit mobile version