Vitin 2025, Kosova e nisi në pozitën e 99-të në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset më të suksesshme të futbollit. Vitin më të suksesshëm deri më tani, përfaqësuesja e Kosovës në futboll po e përfundon në vendin e 80-të në renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.
Përparimi për 18 pozita është më i madhi që ndonjë përfaqësuese e futbollistëve e bëri gjatë vitit 2025. Është kjo një e arritur serioze që dëshmon zhvillimin e hovshëm të përfaqësueses “Dardane”.
Se Kosova ka bërë përparimin më të madh në vitin 2025 nga të gjitha përfaqësueset në botë, e ka konfirmuar edhe FIFA.
“Para kualifikimeve për Kupën e Botës, Kosova kishte fituar vetëm një nga 18 ndeshjet eliminatore për Botëror. Kishte shënuar tetë gola dhe kishte pësuar 39. Megjithatë kjo ndryshoi këtë vit, pasi ekipi i Franco Fodas rikuperoi një humbje në xhiron e parë nga Zvicra, për të mbetur e pamposhtur në pesë ndeshjet e tjera. Ka fituar tri prej tyre dhe ka siguruar vendin në plejofin evropian për herë të parë”, ka shkruar FIFA pasi të hënën publikoi ranglistën e fundit për këtë vit.
“Këto rezultate, të shoqëruara me katër fitore në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe në miqësore, mundësuan që ‘Dardanët’ të merrnin 89,02 pikë në renditje dhe të ngjiteshin nga vendi i 99-të në vendin e 80-të që është më i miri ndonjëherë”, vazhdon shkrimi i FIFA-s.
FIFA e ka quajtur Kosovën “përfaqësuesja me ngjitjen më të madhe të vitit në ranglistë”.
Janë edhe disa përfaqësuese të tjera që kanë bërë ngjitje serioze në ranglistë. Por asnjë si Kosova.
Sukseset e Kosovës gjatë këtij viti ishin të shumëanshme. Por natyrisht që më së shumti vlejnë ato në fushën e blertë.
Në mars, Kosova fitoi 2:1 e 3:1 ndaj Islandës dhe avancoi nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve. Në qershor, Kosova fitoi 5:2 ndaj Armenisë dhe 4:2 ndaj Komoreve në miqësoret në Prishtinë. Më 5 shtator erdhi humbja shokuese, 4:0, nga Zvicra në Basel. Por më pas erdhi reagimi, përkatësisht fitorja e madhe, 2:0, ndaj Suedisë në Prishtinë më 8 shtator. Në tetor u morën dy rezultate të tjera pozitive, barazimi pa gola në shtëpi me Slloveninë dhe fitorja 1:0 në udhëtim ndaj Suedisë. Në nëntor, të përzgjedhurit e Fodas fituan 2:0 ndaj Sllovenisë në Lubjanë dhe barazuan 1:1 me Zvicrën në Prishtinë.
Gjitha fitoret e barazimet siguruan pikë në renditjen e FIFA-s. Për më tepër fitoret e barazimet në vjeshtë ia siguruan përfaqësueses vendin në plejofin për kualifikim në Botërorin në SHBA.
Për shumë kohë, për Kosovën një prej synimeve ishte hyrja në top-100 të ranglistës së FIFA-s. Kur u përfshi në ranglistë, në korrik 2016, Kosova ishte e 190-ta. Vitin 2016 e përfundoi e 165-ta. Vitin 2017 e përfundoi në vendin e 177-të. Ishte e 131-ta në fund të vitit 2018, kurse e 115-ta në fund të vitit 2019.
Se ishte periudhë e stagnimit, përkatësisht e rënies së lehtë, e dëshmon pozita 117 në fund të vitit 2020. Pak përparim kishte në vitin 2021, në fund të të cilit Kosova ishte e 111-ta. Arriti në vendin 108 në fund të 2022-tës dhe në vend të 101-të në fund të 2023-tës.
Vetëm më 28 nëntor 2024, Kosova hyri në 100-she. Zuri vendin e 99-të, që e mbajti edhe në dhjetor të vitit të kaluar.
Në vitin 2025 ngritja ishte e vazhdueshme – 97 në prill, 95 në qershor, 91 në shtator, 84 në tetor, 80 në nëntor dhe 80 në dhjetor.
Kosova në mars e ka ndeshjen e radhës. Fitorja ndaj Sllovakisë do ta afronte me Botërorin. Me fitore ndaj Sllovakisë e më pas ndaj Turqisë apo Rumanisë, do të sigurohej Botërori. Dhe pozita e re, më e mira ndonjë në ranglistë, do të ishte shpërblim shtesë.
