Ballina Sport Futboll Rapidi i kërkon Benficas tetë milionë euro për Rrahmanin

Rapidi i kërkon Benficas tetë milionë euro për Rrahmanin

Drejtuesit e Rapid Bukureshtit i kanë caktuar çmimin sulmuesit të Kosovës, Albion Rrahmanit.

Në fakt, mediumet rumune kanë njoftuar të hënën se Rapidi ka caktuar çmimin vetëm për Benficën, pasi ekipi nga Portugalia ka shprehur interesim për sulmuesin e Kosovës. Mësohet se për ta lënë Rrahmanin të transferohet te Benfica këtë verë, skuadra e Rapidit po kërkon 8 milionë euro.

Thuhet se Rapidi e ka njoftuar Benficën për çmimin e kartonit të Rrahmanit dhe skuadrat pritet të vazhdojnë negociatat deri në fund të edicionit për të arritur marrëveshje eventuale.

Rrahmani pritet të largohet në verë nga Rapidi dhe Benfica po shihet si destinacion i mundshëm pasi edhe krerët e ekipit rumun po duan që 23-vjeçari ta vazhdoj karrierën në Portugali. Edhe te Benfica po e shohin Rrahmanin si përforcim të duhur për sulmin dhe tashmë e kanë përcjell nga afër, ku janë ndarë të kënaqur me paraqitjet e tij.

Rrahmani po shkëlqen këtë edicion te Rapidi, ekip që iu bashkua verën e shkuar nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro. Në 15 paraqitje në Superligën e Rumunisë, Rrahmani ka shënuar 13 gola kurse me skuadrën e Rapidit ka kontratë deri në vitin 2026.

Benfica është skuadra më e suksesshme në Portugali, me 38 tituj kampioni të fituar.

Exit mobile version