Një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka dokumentuar praktika të rënda ndaj palestinezëve në qendrat e ndalimit që nga tetori 2023, duke theksuar se ato arrijnë nivelin e ndëshkimit kolektiv në shkallë të gjerë.
Raporti bazohet në qindra dëshmi që përshkruajnë shkelje serioze fizike dhe psikologjike ndaj të ndaluarve palestinezë.
Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, deklaroi se Izraeli po ushtron torturë sistematike në një shkallë që “tregon për hakmarrje kolektive dhe qëllime shkatërruese”.
Sipas saj, të ndaluarit palestinezë janë përballur me “abuzime fizike dhe psikologjike jashtëzakonisht të rënda” që nga 7 tetori 2023.
Në deklaratën shoqëruese të raportit, Albanese dënoi torturën dhe çdo formë tjetër keqtrajtimi nga të gjitha palët, përfshirë edhe grupet e armatosura palestineze, por theksoi se raporti fokusohet në veprimet e Izraelit.
Raporti, i titulluar “Tortura dhe gjenocidi”, trajton përdorimin sistematik të torturës ndaj palestinezëve në territoret e pushtuara që nga tetori 2023.
Sipas gjetjeve, tortura në qendrat e ndalimit është përdorur në mënyrë të paprecedentë si formë ndëshkimi kolektiv.
Raporti përshkruan raste të rrahjeve brutale, dhunës seksuale dhe përdhunimit, keqtrajtimit që çon në vdekje, urisë së detyruar dhe privimit sistematik nga kushtet bazë të jetesës, duke lënë pasoja të thella fizike dhe psikologjike tek mijëra palestinezë.
Po ashtu, theksohet se tortura është bërë pjesë e një sistemi më të gjerë kontrolli dhe ndëshkimi, që përfshin edhe zhvendosje të detyruar, vrasje masive dhe shkatërrim të kushteve të jetesës, me qëllim shkaktimin e vuajtjeve afatgjata kolektive. /mesazhi
