Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Raporti: Mbi 65 mijë aktivistë hebrenj hynë në kompleksin Al-Aksa në vitin...

Raporti: Mbi 65 mijë aktivistë hebrenj hynë në kompleksin Al-Aksa në vitin 2025

Më shumë se 65 mijë aktivistë hebrenj hynë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 22 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas një raporti, transmeton Anadolu.

Shifrat u botuan në raportin vjetor të “International Jerusalem Foundation”, të përgatitur duke përdorur të dhëna nga Administrata Islamike e Vakëfit në Kuds. Sipas raportit, 65.364 persona hynë në vend gjatë vitit ndërsa vizitat që përfshinin figura politike izraelite u rritën ndjeshëm.

Fondacioni vuri në dukje se ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, është midis politikanëve që kanë hyrë në kompleks së bashku me disa anëtarë të parlamentit.

Numri i vizitave të tilla politike u rrit nga nëntë incidente në vitin 2024 në 20 në vitin 2025.

Raporti thekson se autoritetet izraelite vendosën masa të reja që ndikojnë në aksesin në vend, përfshirë zgjatjen e orarit të vizitave, rritjen e madhësisë së grupeve nga 120 në 200 pjesëmarrës dhe shkurtimin e intervaleve midis hyrjeve.

Këto hapa u përshkruan si përpjekje për të ndryshuar “status quo”-në e gjatë në kompleksin e shenjtë dhe për të imponuar një realitet të ri atje.

– Revokimi i dokumenteve të identitetit dhe presionet mbi arsimin

Përtej zhvillimeve në Al-Aksa, raporti vë në dukje se politikat izraelite që përfshijnë revokimin e dokumenteve të rezidencës dhe identitetit në Kuds kanë vazhduar dhe gjithashtu rikujton se 14.929 palestinezë kanë humbur statusin e tyre të identifikimit midis viteve 1967 dhe 2024.

Ai bën të ditur presionet që lidhen me arsimin, vë në në dukje mungesën e rreth 1.500 klasave në Kudsit Lindor të pushtuar si dhe konfirmon se afërsisht 27 për qind e studentëve palestinezë të moshës 6 deri në 17-vjeç janë të regjistruar në kurrikulën izraelite.

Fondacioni paralajmëroi se periudha aktuale përfaqëson një pikë kthese në atë që e karakterizoi si përpjekje që synojnë identitetin e Kudsit, duke përmendur atë që e përshkroi si politika të intensifikuara të “judaizimit”.

Ai shtoi se afërsisht 77 për qind e familjeve në Kuds jetojnë nën kufirin e varfërisë. Raporti pasqyron më tej pikëpamjet palestineze se Izraeli po përshpejton masat që synojnë riformësimin e Kudsit Lindor, përfshirë kompleksin Al-Aksa dhe fshirjen e karakterit arab dhe islamik të qytetit.

Palestinezët, duke iu referuar rezolutave ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin e qytetit nga Izraeli në vitin 1967 ose aneksimin e tij në vitin 1980, vazhdojnë ta konsiderojnë Kudsin Lindor si kryeqytetin e ardhshëm të një shteti palestinez.

Ndërkohë, të dhënat izraelite tregojnë një shifër më të lartë, duke deklaruar se 76.448 vizitorë hebrenj hynë në kompleks në vitin 2025 duke përfaqësuar një rritje prej 31 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Exit mobile version