Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Iranianët përgatiten për luftë nën petkun e normalitetit

Iranianët përgatiten për luftë nën petkun e normalitetit

Mes kërcënimeve për luftë dhe thirrjeve për diplomaci mes Washingtonit dhe Teheranit, rreth 90 milionë iranianë po jetojnë në një gjendje të thellë pasigurie. Ndërsa priten bisedimet indirekte në Gjenevë, shumë qytetarë kanë nisur përgatitje emergjente, ndërsa të tjerë ndihen të paralizuar nga ankthi dhe kriza ekonomike. Kujtimet nga përshkallëzimet e mëparshme dhe mungesa e një plani të qartë nga autoritetet shtojnë frikën dhe konfuzionin. Mes përgatitjeve për skenarin më të keq dhe përpjekjeve për të ruajtur normalitetin, shoqëria iraniane mbetet pezull mes luftës dhe shpresës për paqe.

Prej disa ditësh, fati i rreth 90 milionë iranianëve duket se lëkundet mes luftës dhe paqes, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë shkëmbejnë herë kërcënime për sulme e herë thirrje për diplomaci.

Me negociatorët e të dyja palëve që pritet të zhvillojnë bisedime indirekte në Gjenevë të enjten, të cilat shihen si mundësia e fundit për të arritur një marrëveshje që mund të shmangë luftën – disa iranianë kanë nisur të marrin masa paraprake.

Ata po përgatisin çanta emergjence, po blejnë gjeneratorë rezervë dhe po hartojnë plane për t’u larguar drejt zonave rurale ose edhe për t’u arratisur jashtë vendit, nëse situata përshkallëzohet.

Të tjerë janë dorëzuar përballë pasigurisë, duke zgjedhur të presin dhe të shohin se çfarë do të ndodhë, me ndjesinë se nuk kanë as informacion të mjaftueshëm dhe as mundësi reale për t’u përgatitur siç duhet. Ndërsa disa, si Payman, një biznesmen 45-vjeçar në Tehran, ndihen të paralizuar nga ankthi dhe pasiguria.

“Gjithçka duket e çuditshme, si një realitet i pezulluar”, tha Payman, i cili, ashtu si të gjithë iranianët që folën për gazetën, kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij nga frika e ndëshkimit nga autoritetet.

“Nuk jam as duke u përgatitur aktivisht për të mbijetuar në një emergjencë. Thjesht dua që kjo situatë të marrë fund”.

Sipas tij, edhe largimi nga kryeqyteti do të ishte tepër i vështirë, pasi rrugët që dalin nga Teherani me shumë gjasë do të bllokoheshin nga trafiku i rënduar.

Përvojë e mëparshme

Shumë iranianë e kanë përjetuar tashmë një situatë të ngjashme qershorin e kaluar, gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, kur miliona banorë u larguan nga kryeqyteti drejt bregdetit të Detit Kaspik dhe zonave malore përreth qytetit. Një udhëtim që zakonisht zgjat rreth katër orë, për shumë prej tyre atëherë zgjati pothuajse një ditë të tërë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj përvoje, qeveria iraniane nuk ka shfaqur shumë shenja të një planifikimi të mirëfilltë emergjent. Javën e kaluar, kryetari i bashkisë së Teheranit, Alireza Zakani, deklaroi për mediat lokale se stacionet e metrosë dhe parkingjet nëntokësore mund të përshtaten për t’u përdorur si strehimore në rast rreziku. Sipas tij, bashkia ka ndërmarrë “hapat minimalë” për t’i përgatitur ato.

Megjithatë, ekspertë vendas të planifikimit urban kanë paralajmëruar se stacionet e metrosë dhe parkingjet kërkojnë sisteme të posaçme ngrohjeje, ventilimi dhe kushte higjieno-sanitare për të shërbyer si strehimore të sigurta. Deri më tani, nuk ka informacion publik që të tregojë se këto masa janë marrë realisht.

Zakani, i cili u kritikua edhe vitin e kaluar për mungesën e përgatitjeve emergjente gjatë luftës, i ka hedhur poshtë shqetësimet si të parakohshme. Në një intervistë televizive për mediat iraniane javën e kaluar, ai u shfaq duke ngritur supet dhe duke buzëqeshur me ironi, duke thënë se autoritetet nuk dëshirojnë të përhapin panik te qytetarët.

“Ne nuk besojmë se do të ketë një luftë aq të rëndë sa të na detyrojë të shpallim gjendje emergjence për publikun”, u shpreh ai. Ai akuzoi Washingtonin se po përpiqet të përhapë frikë te popullsia iraniane, e cila, sipas tij, jeton prej kohësh në një gjendje të përhershme “as luftë, as paqe”. “Pse duhet t’i lejojmë ata të mbyllin qytetin tonë dhe të na mbushin me ankth?” shtoi ai.

Në pamje të parë, në Teheran duket se pak gjëra kanë ndryshuar. Sipas banorëve, dyqanet ushqimore janë të furnizuara mirë dhe nuk ka shenja mungesash në ushqime, karburant apo ujë. Shkollat dhe bizneset vazhdojnë të qëndrojnë të hapura, ndërsa njerëzit përpiqen të vazhdojnë rutinën e përditshme, duke shkuar në punë dhe duke kryer angazhimet e zakonshme.

Përgatitjet për skenarin më të keq

Megjithatë, në hapësirën online gjërat shihen ndryshe. Iranianët po shpërndajnë këshilla dhe udhëzime se si të përgatiten për skenarin më të keq.

Disa postime u sugjerojnë njerëzve të shkruajnë në letër numrat e emergjencës të familjarëve dhe të caktojnë vende takimi, në rast se autoritetet iraniane vendosin të mbyllin internetin dhe rrjetet e telekomunikacionit – siç ndodhi gjatë luftës në qershor dhe pas protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar.

Një aktivist i njohur iranian me bazë në Francë, Ilia Hashemi, publikoi një listë sugjerimesh që u shpërnda gjerësisht, ku rekomandohej grumbullimi i furnizimeve për dy javë: tri litra ujë për person në ditë, ushqime të konservuara dhe të thata, qirinj, elektrikë dore, pajisje të ndihmës së shpejtë, rroba të ngrohta dhe bateri portative (power bank).

Një ditë më vonë, Hashemi shkroi se ishte përmbytur nga reagime të zemëruara nga brenda Iranit. Shumë njerëz i kishin thënë se nuk kishin para të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e një dite të vetme, e jo më për dy javë.

Irani nuk përballet vetëm me rrezikun e afërt të një lufte dhe tensionet e brendshme që vazhdojnë të ziejnë, pas përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë për të shtypur protestat mbarëkombëtare muajin e kaluar. Vendi është gjithashtu i zhytur në një krizë të thellë ekonomike.

Demonstratat nisën në dhjetor, pasi monedha kombëtare, riali, pësoi një rënie të fortë dhe të menjëhershme në vlerë. Në javët që pasuan, riali preku edhe dy herë nivele rekord të ulëta, ndërsa inflacioni u rrit me 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas një gazete të njohur ekonomike iraniane.

Artikujt bazë si mishi, shpendët dhe vezët janë bërë të papërballueshme për shumë familje. Disa banorë thonë se të afërmit e tyre detyrohen të zgjedhin mes pagesës së qirasë dhe blerjes së ushqimeve.

“Është e pamundur të bësh përgatitje apo plane”, tha Sahand, një banor i Teheranit. “Familjet nuk kanë para për të blerë rezerva ushqimi dhe ilaçe. Gjithçka që mendojnë është ku të shkojnë për t’u fshehur”.

Shumica e njerëzve, shtoi ai, “thjesht janë dorëzuar. Mendojnë se nuk ka asgjë që mund të bëjnë.”

Disa iranianë nuk shqetësohen vetëm për sigurimin e ushqimit, ujit apo ilaçeve, por edhe për mënyrën se si do të arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin nëse autoritetet vendosin të mbyllin internetin dhe rrjetet e telefonisë. Për shumëkënd, izolimi informativ shihet si po aq i frikshëm sa edhe mungesat materiale, pasi do t’i linte pa lajme, pa mundësi kontakti me familjarët dhe pa qasje në informacion jetik.

Përveç çantës së saj të emergjencës, ku ka vendosur ujë, ilaçe dhe fruta të thata për raste të jashtëzakonshme, Maryam, një artiste në Tehran, ka blerë edhe shërbime të avancuara VPN. Ajo shpreson se përmes tyre do të mund të anashkalojë një ndërprerje të mundshme të internetit dhe të qëndrojë e lidhur me botën e jashtme, në rast se vendi përballet me një bllokadë digjitale.

Ashtu si shumë të tjerë të intervistuar, Maryam i ndjek çdo ditë me vëmendje zhvillimet politike, lajmet mbi negociatat diplomatike dhe paralajmërimet për luftë. Ajo diskuton pothuajse pa ndërprerje me miq dhe familjarë, duke u përpjekur të kuptojë se çfarë mund të nënkuptojnë këto zhvillime për të ardhmen e Iranit dhe jetën e tyre të përditshme.

“Çdokush me të cilin kam folur këto ditë është shumë i hutuar”, tha ajo. Sipas saj, mbizotëron një ndjenjë e thellë pasigurie dhe paqartësie. Shumë iranianë thonë se nuk arrijnë ta kuptojnë qëndrimin e luhatshëm të Donald Trumpit në lidhje me shtrirjen apo kohën e mundshme të një sulmi – madje as nëse një sulm i tillë do të ndodhë realisht apo do të mbetet vetëm në nivel kërcënimesh.

Ndërkohë, ndërsa mundësia e goditjeve ushtarake vazhdon të qëndrojë pezull mbi vendin si një hije e rëndë, Garda Revolucionare e Iranit ka zhvilluar stërvitje ushtarake në bregdetin jugor, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Këto lëvizje kanë shtuar edhe më shumë tensionin dhe ankthin mes qytetarëve.

Sahar, 38 vjeçe, e cila punon në një kompani start-up në Teheran, rrëfen se e tmerron ideja që vendi i saj të kthehet në një fushë përballjeje mes dy forcave të mëdha, që – sipas saj – tregojnë pak ose aspak shqetësim për fatin e njerëzve të zakonshëm. Ajo ndien se qytetarët e thjeshtë mbeten peng i vendimeve politike që merren larg jetës së tyre të përditshme. “Është si dy burra që zihen për një shtëpi,” është shprehur ajo, “dhe në fund e djegin atë, ndërsa ne jemi ende brenda”. /koha

Exit mobile version