Kompania ajrore kombëtare holandeze KLM ka njoftuar se do të pezullojë fluturimet drejt Tel Avivit duke filluar nga e diela, 1 mars, deri në një njoftim të dytë, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë së lajmeve ANP, kompania tha se vendimi është marrë për “arsye operacionale dhe komerciale”.
“KLM përshtat vazhdimisht rrjetin e saj global sipas kërkesave të tregut dhe rrethanave operacionale. Në këtë moment, nuk është e realizueshme nga pikëpamja komerciale dhe operacionale që KLM të kryejë fluturime drejt Tel Avivit”, tha një zëdhënëse e kompanisë.
Ky vendim nënkupton se KLM nuk do të operojë më fluturime drejt aeroportit Ben Gurion, porta kryesore ndërkombëtare e Izraelit.
Në janar, KLM kishte pezulluar përkohësisht fluturimet drejt Tel Avivit pasi kishte vlerësuar se fluturimet mbi disa vende të Lindjes së Mesme nuk ishin të sigurta. E pyetur nëse shqetësimet e sigurisë mbeten faktor në vendimin e fundit, kompania refuzoi të komentojë.
