Kur muzika refuzon heshtjen komode për t’u bërë zëri i shpirtrave të harruar të Gazës
Në skenën e ndriçuar të “Ariston”, aty ku shpesh arti tjetërsohet në një sfilatë vaniteti dhe buzëqeshjesh të kuruara, Ermal Meta zgjodhi të grisë vellon e indiferencës me këngën “Stella Stellina” (Ylli i Vogël).
Ky i këtij viti, nuk është thjesht një kthim i radhës në Sanremo, por një akt i lartë njerëzor që shkon përtej garës dhe notave muzikore. Ndërsa shumë artistë dhe personazhe publikë zgjedhin me kujdes heshtjen, duke u fshehur pas petkut të “neutralitetit” apo duke qëndruar politikisht korrektë për të mos rrezikuar pëlqyeshmërinë e masës, Ermali bëri të kundërtën.
Ai nuk zgjodhi komoditetin e një kënge dashurie të përgjithshme, por guxoi të mbante në jakën e tij emrin e Amalit, një vajze të vogël nga Gaza, duke e shndërruar veten në një zë për ata që lufta ua ka mbytur britmën në fyt.
Dallimi mes tij dhe pjesës tjetër të botës së spektaklit, është i dhimbshëm dhe i qartë. Në një epokë ku llogaritë e marketingut shpesh peshojnë më rëndë se ndërgjegjja, Ermal Meta refuzon që të luajë lojën e sigurt.
Në një Itali sot më shumë se kurrë të polarizuar mbi çdo temë, ku edhe tragjedia e Gazës ndan kampet politike mes të majtës që mbron palestinezët dhe të djathtës që anon në favor të Izraelit, Meta refuzoi të bëhet pjesë e llogarive elektorale apo ideologjike.
Ai e di mirë se të flasësh për fëmijët e Gazës, do të thotë të hysh në një terren të minuar debatesh. Por për të, kjo nuk është çështje diplomacie, por një emergjencë humanitare. Prandaj ky qëndrim moral, e lartëson atë mbi figurat që mjaftohen me një postim sipërfaqësor në rrjetet sociale.
Ai e “qepi” dhimbjen në kostumin e tij duke e bërë atë pjesë të performancës, dhe na kujtuar se arti që nuk trondit dhe që nuk merr anën e të pafajshmit, është thjesht dekor. Kënga e tij, një ninullë e ëmbël që përmba mes rreshtash një denoncim të ashpër, është një homazh për “bijat e askujt” që janë në fakt “bijat e të gjithëve”.
Përmes instrumenteve por edhe vargjeve që flasin për kukulla të humbura mes mureve dhe detit, Meta na fton të mos mësohemi me tmerrin. Ndoshta në këtë klimë tensionesh politike, ku vota shpesh kushtëzohet nga pozicionimi ideologjik, “Stella Stellina”” nuk do të arrijë të rrëmbejë çmimin e parë zyrtar në finalen e të shtunës.
Por fitoren e vërtetë, atë moralen, ia kanë dhënë tashmë miliona njerëz që u përlotën para ekranit. Ai na tregoi se të jesh artist i vërtetë, do të thotë të kesh guximin të jesh i “papërshtatshëm” për sistemin kur ky e harron njerëzoren.
Ky integritet i Ermal Metës bëhet edhe më drithërues kur e projekton në sfondin e realitetit të vendit të tij të origjinës, Shqipërisë. Ndërsa Ermali përdor skenën më të rëndësishme në Itali por në fakt në mbarë Evropën për të qarë fatin e mijëra fëmijëve të masakruar në Gaza, shumë nga bashkëatdhetarët e tij artistë në Shqipëri duken të vetë-izoluar në një flluskë mjerane.
Ata janë bërë pis nga një palo-treg muzikor që nuk ka më asnjë grimë njerëzillëku, një industri që nuk prodhon mesazhe, por vetëm zhurmë. Në vend të kauzave humane, shohim një garë absurde luksi të shfrenuar, ku i vetmi “mision” është nevoja e pangopur për t’u pasuruar me çdo mjet dhe për të reklamuar një jetë që nuk i përket askujt.
Është një kontrast therës të shohësh një artist që kërkon shpirtin mes rrënojave të luftës, përballë një kaste që ka humbur shpirtin mes shkëlqimit të rremë të parasë dhe arrogancës. Ermal Meta nuk shkoi këtë vit në Sanremo për të fituar një trofe prej ari, por për të mbrojtur dinjitetin e jetës, duke dëshmuar se përpara se të jetë një kantautor i shkëlqyer, ai është një njeri me shpirt të lirë.
Një model që mjerisht, duket aq i huaj për tregun që e ka mbytur artin në Shqipëri. /tesheshi
