Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i OKB-së bën thirrje për respektimin e të drejtave të lundrimit...

Shefi i OKB-së bën thirrje për respektimin e të drejtave të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se respektimi i së drejtës ndërkombëtare po dobësohet globalisht, veçanërisht në Lindjen e Mesme, duke theksuar se kjo mund të thellojë paqëndrueshmërinë dhe konfliktet, transmeton Anadolu.

“Në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme, respekti për të drejtën ndërkombëtare po shkelet”, u tha Guterres gazetarëve gjatë një konference për media në selinë e OKB-së në New York, duke shtuar se “rregullat që rregullojnë përdorimin e forcës dhe zhvillimin e armiqësive po injorohen”.

Duke paralajmëruar për rreziqe më të gjera, Guterres e përshkroi të drejtën ndërkombëtare si “të domosdoshme”, duke shtuar se “pa të, paqëndrueshmëria përhapet, mosbesimi thellohet dhe konfliktet dalin jashtë kontrollit”.

Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, ai theksoi se “nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë” dhe se “marrëveshjet e paqes kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe vullnet politik”.

Duke bërë thirrje për diplomaci të ripërtërirë, Guterres tha se “negociatat serioze duhet të rifillojnë” dhe theksoi se “armëpushimi duhet të ruhet”.

“Dhe të drejtat dhe liritë ndërkombëtare të lundrimit, përfshirë në Ngushticën e Hormuzit, duhet të respektohen nga të gjitha palët”, shtoi ai.

I pyetur nëse është në dijeni për mundësinë e rifillimit të negociatave SHBA–Iran, Guterres tha: “Treguesit që kemi janë se është shumë e mundshme që këto bisedime të rifillojnë”, duke përmendur bisedën e tij të fundit me zv/kryeministrin e Pakistanit, Ishaq Dar.

Shefi i OKB-së iu referua gjithashtu Libanit, duke i cilësuar bisedimet mes Izraelit dhe Libanit si “shumë të rëndësishme” për krijimin e kushteve për ndryshim në terren.

“E vërteta është se Hezbollahu dhe Izraeli kanë ndihmuar gjithmonë njëri-tjetrin për të destabilizuar qeverinë e Libanit”, shtoi ai.

Exit mobile version