Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ukraina propozon marrëveshje dypalëshe për dronë me Gjermaninë

Ukraina propozon marrëveshje dypalëshe për dronë me Gjermaninë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se vendi i tij po propozon marrëveshje dypalëshe për dronë me Gjermaninë, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Berlin, Zelenskyy tha se industria, baza teknologjike dhe aftësitë ushtarako-politike të Evropës duhet të jenë të mjaftueshme për të ofruar mbrojtje të besueshme për të gjithë në çdo kusht.

Ai tha se kjo vlen në veçanti për aftësinë e Evropës për të prodhuar mbrojtje ajrore antibalistike “në vëllimet e nevojshme dhe mbrojtje në shkallë të plotë” kundër çdo objektivi ajror, përfshirë dronët. Zelenskyy tha se kjo çështje u trajtua gjatë takimit të tij me Merzin.

“Ukraina është gati të japë kontributin e saj. Ne i kemi ofruar Gjermanisë marrëveshje për dronët, marrëveshje dypalëshe për dronët, lloje të ndryshme dronësh, raketash, softuerësh dhe mbrojtje moderne”, tha Zelenskyy duke theksuar se ekipet e tyre po fillojnë “punën konkrete”.

“Përvoja jonë mund të integrohet në sistemin evropian të sigurisë”, shtoi Zelenskyy duke argumentuar se puna e Ukrainës me vendet e Lindjes së Mesme dhe rajonit të Gjirit dëshmon se përvoja dhe propozimet e saj janë “më efektivet”.

Zelenskyy tha se ata kanë marrëveshje për një kontribut të ri nga Gjermania në prodhimin e dronëve në Ukrainë, duke falënderuar Merzin për të gjitha hapat që ai ka ndërmarrë tashmë. “Vlerësoj se bashkëpunimi midis Ukrainës dhe Gjermanisë ka arritur nivelin e një partneriteti strategjik kuptimplotë”, tha ai.

Presidenti ukrainas mbërriti sot në Berlin për bisedime me kancelarin gjerman, një ditë pasi tha se Kievi po përgatit bazën për marrëveshje më të thella sigurie në Evropë, duke shtuar se ata presin të “arrijnë rezultate pikërisht këtë javë”.

Javën e kaluar, Zelenskyy deklaroi se do të zhvillojë bisedime “në të ardhmen e afërt” me vendet evropiane mbi mbrojtjen kundër dronëve rusë dhe pranimin e Ukrainës në BE, ndër tema të tjera.

Përpara konferencës për media, Ukraina dhe Gjermania nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për të dhënat midis ministrive të tyre të mbrojtjes si dhe një deklaratë të përbashkët qëllimi për “mbështetjen e rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë industriale” midis ministrive të tyre të ekonomisë.

Exit mobile version