Raportuesja speciale e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, Francesca Albanese paralajmëroi sot se vendimi i Izraelit për të zgjeruar masat e shpronësimit të tokës në Bregun Perëndimor të pushtuar mund të konsolidojë aneksimin, potencialisht të përbëjë agresion sipas ligjit ndërkombëtar dhe të forcojë më tej atë që gjykata më e lartë në botë e ka konsideruar një pushtim të paligjshëm, transmeton Anadolu.
Ajo reagoi ndaj masave të ratifikuara nga Kabineti i Sigurisë i Izraelit më 8 shkurt për të lehtësuar regjistrimin e zgjeruar të tokës dhe blerjen e pronës në territorin e pushtuar.
“Këto masa nuk janë rregullime rutinë administrative. Ato janë hapa të qëllimshëm, graduale drejt aneksimit të përhershëm, të përparuara pjesë-pjesë, në mes të ditës dhe me pandëshkueshmëri të plotë”, tha Albanese në një deklaratë.
Raportuesja paralajmëroi se ato do të “thellonin dhe forconin një pushtim që gjykata më e lartë në botë (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) e ka përcaktuar si të paligjshëm”.
Sipas saj, ndryshimet e bëjnë më të lehtë për shtetasit izraelitë dhe të huajt të fitojnë pronë në vendbanime, duke përshpejtuar atë që ajo e përshkroi si pushtim territorial. Hapja e regjistrave të tokës për pretendimet publike, tha ajo, i bën pronarët palestinezë të tokës gjithnjë e më të prekshëm ndaj presionit, shpronësimit dhe transferimit të detyruar.
Albanese theksoi se aneksimi i territorit të pushtuar është kategorikisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, duke cituar Nenin 2(4) të Kartës së OKB-së dhe Konventën e Katërt të Gjenevës. Ajo iu referua mendimit këshillimor të korrikut 2024 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon paligjshmërinë e politikës së vendbanimeve të Izraelit dhe sqaron se të gjitha shtetet nuk duhet as ta njohin dhe as ta ndihmojnë situatën.
“Aneksimi nuk prodhon stabilitet”, tha ajo.
Albanese u kërkoi shteteve të përmbahen nga njohja, të mos japin ndihmë dhe të marrin masa efektive për t’i dhënë fund pushtimit.
Izraeli ka intensifikuar operacionet në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga nisja e fushatës së tij ushtarake në Gaza më 8 tetor 2023. Palestinezët e shohin përshkallëzimin, përfshirë vrasjet, arrestimet, zhvendosjen dhe zgjerimin e vendbanimeve si një hap drejt aneksimit formal të territorit.
