Ballina Artikuj Rasti Jamal dhe si ish-Sekretari Mike Pompeo paralajmëroi fazën tjetër të gjenocidit...

Rasti Jamal dhe si ish-Sekretari Mike Pompeo paralajmëroi fazën tjetër të gjenocidit në Gaza

Ghada Ageel Hamdan

Keqleximet e Biblës që duan të shfarrosin një popull me horror fetar


Nga Ghada Ageel*

Trupi i nëntëvjeçarit Jamal është i paralizuar. Ai përjeton spazma të vazhdueshme, të pakontrollueshme dhe të dhunshme. Ai nuk mund të flërë prej tyre. As nëna e tij. Për t’i mbajtur spazmat nën kontroll, kërkohet një ilaç i quajtur baclofen. Ai liron muskujt dhe ndalon dridhjet. Ndërprerja e menjëhershme e përdorimit të baclofen-it mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.

Nëna e Jamalit, kushërira ime Shaima, më shkroi nga tenda e familjes në kampin e të zhvendosurve al-Mawasi në Gaza një javë më parë. Ishte dita e shtatë që djali i saj ishte pa ilaç. Spazmat e dhunshme neurologjike që pushtojnë gjymtyrët e Jamalit e bëjnë atë të ulërasë nga dhimbja.

Baclofen-i nuk gjendet askund në Gaza: as në spitale, as në klinika, as në magazinat e Ministrisë së Shëndetësisë, madje as përmes Kryqit të Kuq. Shaima ka kërkuar në të gjitha këto vende. Është një nga ilaçet e shumta të bllokuara nga Izraeli, së bashku me qetësuesit dhe antibiotikët.

Jamalit tani iduhet të durojë dhjetëra spazma çdo ditë. Nuk ka asnjë mjekim alternativ apo zëvendësues. Nuk ka lehtësim, ka vetëm dhimbje.

Historia e Jamalit nuk duhet treguat po të ishte për njerëz si ish-Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo.

Duke folur në Institutin MirYam me bazë në SHBA, i fokusuar te Izraeli, muajin e kaluar, Pompeo tha: “Ne duhet të sigurohemi që historia të tregohet siç duhet, në mënyrë që kur librat e historisë ta shkruajnë këtë, të mos shkruajnë për viktimat e Gazës”. Publiku duartrokiti me këtë fjali.

Pompeo vazhdoi duke thënë se çdo luftë ka viktima civile, por viktimat e vërteta në këtë rast janë populli i Izraelit. Shqetësimi i tij është se 7 tetori dhe lufta në Gaza do të kujtohen “në mënyrën e gabuar”.

Duket se Pompeo kërkon të argumentojë se njerëzit e Gazës janë thjesht “dëm kolateral” në luftën e Izraelit. Ata duhet të mbeten pa emër, pa fytyrë, të harruar. Ai dëshiron që historitë e tyre të fshihen nga faqet e historisë njerëzore.

Vërejtjet e tij pasqyrojnë fazën tjetër të gjenocidit të Izraelit. Të pakënaqur me progresin e tyre në eliminimin e njerëzve të Gazës, xhamive të tyre, shkollave dhe universiteteve, institucioneve të tyre kulturore, ekonomisë dhe tokës, Izraeli dhe aleatët e tij kristiano-sionistë si Pompeo, tani kanë nisur fshirjen e kujtesës dhe martirizimit.

Kjo fushatë është e dukshme si brenda ashtu edhe jashtë Gazës. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) – një institucion që ka ruajtur gjatë statusin e popullsisë refugjate palestineze dhe ka mbrojtur të drejtën e tyre të kthimit sipas ligjit ndërkombëtar – po minohet dhe çmontohet sistematikisht. TikTok – një nga platformat e pakta sociale ku zërat palestinezë kanë pasur pak më shumë liri për të folur – tani po kufizon (shadow banning) llogaritë pro-palestineze, pasi u mor nën kontroll nga një konglomerat mik i Izraelit.

Në SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjetkë, ligjet vendore po përdoren si armë kundër rinisë pro-palestineze, ku shumë prej tyre po ndalohen sepse përdorin atë që duhet të jetë e drejta e tyre e mbrojtur për lirinë e fjalës. Ligjet madje po miratohen në nivel shtetëror në SHBA për të formësuar atë që mund të jepet në shkolla për Izraelin dhe Palestinën.

Por ajo që Pompeo – dhe ata si ai që keqlexojnë vargjet biblike për të justifikuar mbështetjen e tyre për Izraelin dhe gjenocidin e tij – nuk kuptojnë, është se palestinezët janë përballur me fshirjen edhe më parë dhe e kanë mposhtur atë. Do ta bëjmë përsëri.

Kur mendoj për kujtesën dhe dëshminë, më vjen ndërmend fjala “dëshmor” (martir). “Martir” vjen nga fjala greke “martus”, që do të thotë “dëshmitar”, dhe figuron dukshëm në Bibël. Po kështu, fjala “shehid” në arabisht rrjedh nga rrënja e fjalës për “dëshmitar” ose “dëshmi”. Ndërsa fjala evoluoi, ajo mori edhe konotacionet e vuajtjes së dhunshme për shkak të besimeve të dikujt, madje edhe një ndjenjë të qëndrueshmërisë heroike për shkak të shkallës së sakrificës.

Nuk mund të gjej fjalë më të mirë se “shehid” për të përshkruar Jamalin dhe njerëzit rreth tij: ata janë dëshmorë të gjallë. Trupi i vogël i Jamalit ka dëshmuar vuajtje të jashtëzakonshme; ai është goditur nga dhuna e luftës, dhe ai – ashtu si nëna e tij – vazhdon përpara për shkak të dëshirës së tij të madhe për të jetuar.

Rreth e qark tendës së Jamalit dhe Shaimas janë mijëra tenda të tjera. Ditë e natë, secila prej tyre shpohet nga tingulli i ulërimave të Jamalit. Brenda tendave, të ftohta dhe shpesh të lagura nga përmbytjet e fundit, janë mijëra njerëz të tjerë që kërkojnë evakuim mjekësor urgjent drejt spitaleve.

Dhimbja dhe vuajtja janë të pamasë, e megjithatë njerëz si Pompeo vazhdojnë të justifikojnë procesin e vazhdueshëm dhe historikisht të rrënjosur të eliminimit të popullit palestinez.

Populli palestinez është gjithashtu poet në zemër. Dhe ajo që Pompeo – i cili zhvlerëson gjuhën, kujtesën dhe historinë – nuk do ta kuptojë kurrë, është se poeti është një dëshmitar.

Siç shkroi poeti palestinez Mahmoud Darwish në një nga vargjet e tij:

O ju që kaloni mes fjalëve fluturake

Merrni emrat tuaj me vete dhe ikni

Lirojeni kohën tonë nga orët tuaja, dhe ikni

Vidhni ç’të doni nga kaltërsia e detit dhe rëra e kujtesës

Merrni çfarë fotografish të doni që të kuptoni

Atë që nuk do ta kuptoni kurrë:

Se si një gur nga toka jonë bëhet tavani i qiellit tonë.

Populli palestinez do ta mbajë kujtesën gjallë, ashtu siç kemi mbajtur gjallë dhimbjen e Beit Daras, Deir Yassin, Jenin, Muhammad al-Durrah, Anas al-Sharif dhe rrënjët e çdo peme ulliri të shkulur nga toka e saj. Populli palestinez, dhe miliona njerëz në solidaritet anembanë botës, dëshmuan shkatërrimin e Gazës nga Izraeli. Në sfidë të Pompeos dhe në nderim të dëshmorit të gjallë Jamal, secili prej nesh do të marrë gurët e Gazës dhe do të ndërtojë një qiell të ri. /tesheshi.com/

*Ghada Ageel është Profesore e Shkencave Politike. Dr. Ghada Ageel është një refugjate palestineze e brezit të tretë dhe aktualisht profesore vizitore në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Albertës, Kanada.

Exit mobile version