Të paktën 36 persona kanë vdekur brenda katër ditëve nga epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, e cila u shfaq në korrik të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e RD të Kongos, gjatë epidemisë që u shfaq në provincën Kivu Veriore dhe u përhap në provincën Ituri, janë regjistruar 2.763 raste të etheve hemorragjike, nga të cilët tek 2.669 persona është zbuluar virusi Ebola.
Gjithsej 1.755 persona kanë vdekur si pasojë e virusit, 36 prej të cilëve në katër ditët e fundit. Në kuadër të një fushate të nisur më 8 gusht të vitit 2018, 185.289 persona i janë nënshtruar vaksinimit.
Virusi Ebola, i cili është shkaktar i një lloji të etheve hemorragjike, për herë të parë u shfaq me dy epidemi të njëkohshme në qytetin Nzara të Sudanit dhe Yambuku të RD të Kongos në vitin 1976. Epidemia në RD të Kongos mori emrin që mban edhe sot pasi u shfaq në një fshat në afërsi të lumit Ebola.
Virusi Ebola u përhap në Afrikën Perëndimore në dhjetor të vitit 2013. Rreth 30 mijë persona u prekën nga virusi dhe mbi 11 mijë persona humbën jetën gjatë epidemisë që përfshiu Guinenë, Liberinë dhe Sierra Leonen në periudhën 2014-2017.
