UNIONET ISLAME SHQIPTARE TË DIASPORËS:
Reagim ndaj deklaratës fyese të Nusret Pllanës
17.02.2026, e martë
Xhamitë e shqiptarëve në mërgatë janë vullneti dhe vizioni i vetë komunitetit tonë
Deklaratat e Nusret Pllanës në një ivent, ku ai i ka quajtur xhamitë shqiptare në diasporë “xhami të hamamit” dhe ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre, janë jo vetëm të papranueshme, por edhe thellësisht ofenduese për besimtarët dhe komunitetin shqiptar jashtë atdheut.
Është paradoksale dhe zhgënjyese që një person të cilit këto xhami ia kanë hapur dyert me respekt, duke i ofruar hapësirë për promovimin e librave dhe veprimtarisë së tij, të zgjedhë të shpërblejë këtë mikpritje me përçmim dhe fjalor denigrues. Xhamitë shqiptare në diasporë nuk janë thjesht objekte kulti – ato janë qendra shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.
Për dekada me radhë, xhamitë shqiptare në Evropë dhe më gjerë kanë luajtur një rol kyç në:
– Ruajtjen e identitetit kombëtar dhe gjuhës shqipe, përmes mësimit fetar dhe aktiviteteve kulturore në gjuhën amtare.
– Forcimin e unitetit komunitar, duke shërbyer si pika takimi për bashkëatdhetarët.
– Mbështetjen e çështjes kombëtare, sidomos në periudha të vështira historike, kur diaspora ka qenë zëri i fuqishëm i interesave shqiptare.
– Edukimin e brezave të rinj me vlera morale, fetare dhe kombëtare, duke i mbrojtur nga asimilimi dhe humbja e identitetit.
Të fyesh këto institucione do të thotë të fyesh sakrificën e qindra veprimtarëve, imamëve, donatorëve dhe familjeve shqiptare që kanë kontribuar me mund e pasuri për t’i ndërtuar dhe mbajtur gjallë ato. Do të thotë të shpërfillësh rolin e tyre në kohë krizash, kur ato kanë qenë jo vetëm vende lutjeje, por edhe qendra solidariteti e mobilizimi kombëtar.
Debati dhe kritika janë të mirëpritura në një shoqëri demokratike. Por gjuha e urrejtjes dhe etiketimet fyese nuk i shërbejnë as së vërtetës, as unitetit kombëtar. Në vend të përçarjes, nevojitet reflektim dhe respekt për kontributin real që xhamitë shqiptare në diasporë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për fenë, kombin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Institucionet fetare meritojnë dinjitet. Dhe dinjiteti fillon me gjuhën që përdorim.
Me respekt,
Mehas ef. Alija – Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër
Mensur ef. Halili – Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani
Vahidin ef. Beluli – Komuniteti Shqiptar pranë Bashkësisë Islame të Austrisë
Reshat ef. Ibishi – Bashkësia Fetare Islame e Italisë
Nuhi ef. Shaqiri – Federata e Xhamive Shqiptare në Belgjikë
