Ballina Lajmet Kosovë Reagime të shumta pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR-i

Reagime të shumta pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR-i

Pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ka pasur reagime të shumta.

Mbrëmë ka reaguar ministri i Arsimit (MASHT), Shyqiri Bytyqi i cili përmes një shkrimi, fajin për përjashtim nga EQAR, ia hedhë një “grup interesi” të cilët sipas tij keqinformuan këtë institucion.

Bytyqi e ka quajtur tension të stisur opinionesh atë që po ndodh pas këtij vendimi.

Ka thënë gjithashtu se në MASHT nuk ndjehen mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe se do ta ndihmojnë shumë Agjencinë e Akreditimit që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat për të ndalur largimin.

Lidhur me këtë çështje ministri Bytyqi do të raportojë sot në Komisionin për Arsim.

Pas përjashtimit të AKA-së nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka reaguar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Blerim Rexha ka folur pas vendimit të përjashtimit të AKA-së nga Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Rexha në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se ky vendim u shkakton më së shumti probleme studentëve.

“Ky vendim, studentëve që dalin jashtë vendit u shton procesin e dyshimit verifikimit dhe validimit të diplomave dhe programeve të studimit të tyre”, ka thënë Rexha.

Ai ka theksuar se ky përjashtim e pengon dhe e ndalon aspiratën për integrim në hapësirën e arsimit të lartë në Evropë, anëtarësimit në sistemin e Bolonjës dhe anëtarësimit në UNESCO.

Por, lidhur me përjashtimin e AKA-së nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) kanë reaguar edhe deputetët e Kuvendit.

Avdullah Hoti, i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), së bashku me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dorëzuar kërkesë në Kuvendin e Kosovës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Hoti, në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se janë mbledhur 40 nënshkrime për të mbajtur këtë seancë.

“Grupi Parlamentar i LDK-se sot e ka dorëzuar kërkesën me 40 nënshkrime të deputeteve për seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me vendimet arbitrare dhe joligjore të Qeverise që kanë quar në përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit te Cilësisë në Arsimin e Larte”, ka shkruar Hoti.

Tutje Hoti ka shtuar se “Qeveria do te detyrohet shpejt të marre veprime që mos të pësojnë studentët dhe mësimdhënësit në arsimin e lartë publik dhe privat në Kosovë”.

Ndryshe, Agjencia e Akreditimit të Kosovës është përjashtuar Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në arsyetimin e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, vlerësohet lartë puna e anëtarëve të bordit të kaluar, duke pezulluar mbi 100 programe të akreditimit në kolegjet publike dhe private. Gjithashtu, aty thuhet se puna e tyre nuk u kishte pëlqyer qeverisë dhe kishte shkarkuar ata pa ndonjë arsyetim konkret, duke emëruar anëtarë të tjerë, kryesisht aktivistë partiakë.

Exit mobile version