Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Regjimi i Asadit sulmon Idlibin, të paktën 11 civilë të vdekur

Regjimi i Asadit sulmon Idlibin, të paktën 11 civilë të vdekur

Të paktën 11 civilë, prej të cilëve 4 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të avionëve luftarakë të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë në vendbanimet brenda zonës së deeskalimit të Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët luftarakë të regjimit të Asadit dhe Rusisë që nga mbrëmë kanë kryer sulme në Khan Shaykhun, Keferruma, Bsida, Marrithirme, Keferya, Keferavid, vendbanime brenda zonës së deeskalimit të Idlibit.

Si pasojë e këtyre sulmeve, sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardhë), kanë humbur jetën 11 civilë prej të cilëve 4 fëmijë, ndërsa janë plagosur shumë civilë tjerë.

– Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) ka njoftuar se 606 civilë janë vrarë prej të cilëve 157 fëmijë dhe 111 gra nga sulmet e regjimit në Idlib në periudhën nga 26 prilli deri më 12 korrik.

Exit mobile version