Ballina Lajmet Kosovë Reshje shiu edhe në ditët e ardhshme, IHMK paralajmëron sërish vërshime dhe...

Reshje shiu edhe në ditët e ardhshme, IHMK paralajmëron sërish vërshime dhe situatë më të rëndë në Dukagjin

Reshjet e shiut të cilat gjatë ditëve të fundit kanë rënë me intensitet të lartë, kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Situatë më e rënduar nga këto reshje ishte në Rrafshin e Dukagjinit.

E një situatë e tillë pritet të jetë edhe në ditët në vazhdim. Kështu bëri të ditur për Telegrafin, Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në IHMK.

“Sipas parashikimeve tona pritet që përsëri ditëve në vazhdim të ketë reshje në tërë vendin por më të theksuara përsëri në Dukagjin, prandaj këto edhe më tepër do ta rëndojnë situatën”, u shpreh Kastrati.

Ai më tej ka treguar për situatën aktuale që po mbretëron pas reshjeve të ditëve të fundit.

“Situata hidrometeorologjike në Kosovë gjatë këtyre ditëve është karakterizuar me reshje të shiut me intensitet më të theksuar në Dukagjin, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës e cila ka shkaktuar ngritje të niveleve nëpër lumenj. Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime ( Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës, Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha, Lumi Drencia etj)”, ka thënë Kastrati.

Ai ka theksuar se problematik paraqiten lumenjtë me karakter të rrëkeve të cilët rrjedhin nga zonat e larta malore.

Kastrati ka shtuar se situatës në Dukagjin i ka kontribuuar edhe shkrirja e borës dhe reshjet e shiut që kanë rënë ditë më parë, duke ngopur kështu token me ujë përtej kapaciteteve.

“Aktualisht nëpër lumenjtë lumorë me karakter fushorë (Drini i Bardhë, Ibri, Sitnica, Morava Binçës dhe Lepenci) kanë ngritje të lehtë, ndërsa pas ndërprerjes së reshjeve tendenca e niveleve është në rënie”, ka thënë Kastrati.

Kastrati shoti se janë duke përcjellur në vazhdimësi situatën meteorologjike dhe hidrologjike përmes rrjeteve të tyre monitoruese, duke marrë të dhëna në kohë reale të reshjeve dhe të niveleve të ujit nëpër lumenj.

Në anën tjetër Besim Aliu nga IHMK, në një prononcim për Telegrafin, ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu dhe bore.

Exit mobile version